Rama: Qëllimi kryesor është të jemi pjesë e NATO-s

Rama: Qëllimi kryesor është të jemi pjesë e NATO-s

Në kazermën “Adem Jashari’” të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së në Prishtinë, është zhvilluar ceremonia e shpalljes së rezultateve dhe fitueseve të Garës Ndërkombëtare dhe Garës së FSK-së “Ushtari më i mirë i vitit 2018’’.

Në këtë garë me karakter ndërkombëtar, ushtari më i mirë është shpallur tetari Lorik Ramaj nga batalioni i tretë i brigadës së reagimit të shpejt në FSK, ndërsa vendin e parë për ushtarin më të mirë ndërkombëtar është shpallur Vladimir Haxhijaj nga Shqipëria.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, me këtë rast ka thënë se kjo garë është një sfidë për të gjithë ushtarët me qëllimin më të mirë, sepse të gjitha këto testime shërbejnë për njësitet ku janë të angazhuar. Ai shtoi se synimi i FSK-së dhe Kosovës, është anëtarësimi në NATO.

“Për neve si Forcë e Sigurisë, është edhe një stimulim shtesë në ato qëllimet dhe synimet tona që i kemi përpara t’i arrijmë. Por qëllimi kryesor i kësaj, jo vetëm i organizatës tonë, por i vendit tonë është të jeni pjesë e strukturave Euro-atlantike, në këtë rast e NATO-s. Gjithçka që kemi ndërtuar që nga fillimi e deri tash, e kemi ndërtuar bazuar me standardet e NATO-s, sepse ky është qëllimi dhe synimi jonë që të jemi pjesë e familjes Euro-atlantike. Ne do të vazhdojmë detyrat tona, punët tona dhe ne po e dëshmojmë se jemi një Forcë e respektueshme, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Rama.

Ndër të tjera komandanti i FSK-së theksoi se është me rëndësi për shtetet partnere me parë një realitet se në aspektin profesional dhe kulturor, FSK është ushtri.

“Nuk do të ishim këtu ku jemi sot pa përkrahjen e gjithë partnerëve tanë, dhe është shumë me rëndësi që nuk është vetëm në kuptimin profesional që i kemi pasur partnerët këtu, është shumë me rëndësi që edhe në aspektin kulturor kemi krijuar ura ndërlidhëse mes partnerëve tanë. Andaj, është shumë me rëndësi për partnerët tanë me pa një realitet që është këtu, qoftë edhe në aspektin kulturor si dhe në aspektin profesional ose edhe ushtarak”, thaai.

Rreshter majori në FSK, Genc Metaj, tha se gara e “Ushtarit më të mirë 2018”, filloi më 23 prill dhe vazhdoi deri më 27 prill.

Sipas tij, ushtarë dhe nënoficer nga të gjitha njësitet e FSK-së dhe vende partnere pjesëmarrëse garuan së bashku dhe treguan përkushtim dhe profesionalizëm të lartë gjatë ekzekutimit të detyrave të parashtruara.

Në këtë garë morën pjesë 22 garues të FSK-së të cilët garonin për ushtarin më të mirë të FSK-së, ndërsa 17 garues ndërkombëtar nga shtetet partnere të Kosovës, të cilët garonin për ushtarin më të mirë ndërkombëtar.

Për të gjithë garuesit pjesëmarrës, FSK ka ndarë certifikata.

Gara u zhvillua në këto aktivitete: test fizik, gjuajtje me armë, navigim tokësor, poligon me pengesa, hedhje e granatës, kalimi i zonës së rrezikshme, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit, marshimi i shpejt me ngarkesë.

FSK ka filluar me këtë garë që nga viti 2014. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm drejtuesit e Ministrisë për FSK, oficerë të lartë të FSK-së, oficerë të KFOR-it, atashetë ushtarak të vendeve partnere, si dhe mysafirë të tjerë.