Alvini kthehet në Itali

Alvini kthehet në Itali

Alvin Berisha ka mbërrtur në Itali. 11-vjeçari me origjinë shqiptare u transferua me një fluturim të planifikuar nga Alitalia (AZ 827).

Ai mbërriti nga Beiruti pas orës 07:00 në aeroportin e Romës Fiumicino, ku u prit nga babai dhe dy motrat.

“Gëzim i jashtëzakonshëm që mundëm të sjellim vogëlushin Alvin përsëri në Itali, në krahët e familjes së tij. Duhet të punojmë më shumë për fëmijët e tjerë në Al-Hol dhe në fusha të tjera në Siri. Është një situatë komplekse, por nëse ekziston vullnet politik, mund të bëhet”, ka shkruar Presidenti i Kryqit të Kuq italian, Francesco Rocca.

Në moshën 6 vjeçare, në dhjetor të 2014, Alvin Berisha fluturoi drejt Sirisë me të ëmën që donte t’i bashkohej ISIS-it.

Nëna e tij, e lindur në Durrës në vitin 1982 emigroi në Itali, ku dhe ra pre e propagandës fetare radikale islamike. Ajo humbi jetën nga një bombardim kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri, ngjarje gjatë të cilës u plagos rëndë edhe Alvini.

U desh një operacion i mirëorganizuar nga autoritetet italiane dhe shqiptare si dhe organizatat humanitare për të bërë të mundur nxjerrjen e tij nga kampi dhe bashkimin e Alvinit me familjen e tij.

Tashmë sfidë për shtetin shqiptar mbetet kthimi i rreth 28 fëmijëve të tjerë shqiptarë që gjenden në kamp./Ora News