Shpallet e pafajshme

Shpallet e pafajshme

Edita Dula, aktore kosovare, është shpallur e pafajshme për përvetësim të parave dhe keqpërdorim të besimit përmes organizatës së saj.

Sot, gjykata e liroi atë nga akuza pasi sipas trupit gjykues nuk ka pasur prova të mjaftueshme.

 

“Ne unanimisht si trup gjykues kemi parë se nuk ka prova të mjaftueshme për të argumentuar fajësinë e të njëjtës” , tha kryetarja e trupit gjykues, Naime Jashanica.

Sipas aktakuzës, Edita Dula gjatë viteve 2016-2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në vazhdimësi ka përvetësuar paratë që i janë besuar, konkretisht dyshohej se ka përvetësuar 1,488.90 euro, të kësaj organizate.

Sipas Prokurorisë, nga shuma e përgjithshme dyshohej se Dula 1.088.90 euro i ka përvetësuar, duke i tërhequr nga llogaria bankare e OJQ-së, ndërsa shumën prej 400 eurosh i ka përvetësuar nga shuma që kanë dhënë njerëzit e vullnetit të mirë, që i kishin dhënë për personat në nevojë, në emër të festës së “Fitër Bajramit”.

Përveç veprës penale të përvetësimit në detyrë, ajo akuzohej nga Prokuroria edhe për veprën penale – keqpërdorim i besimit, pasi siç pretendon Prokuroria, Dula gjatë viteve 2016-2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, ka vepruar në kundërshtim me statutin e datës 7 korrik 2017, në atë mënyrë që gjësendet që janë dhuruar për njerëzit në nevojë, të njëjtat i ka përvetësuar për vete./kallxo.com