Lufta kundër Korrupsionit, Kosova më mirë se Shqipëria dhe më keq se Serbia

Kosova, përkeqësim në luftën kundër korrupsionit

Kosova ka shënuar regres në “Indeksin e perceptimit të korrupsionit 2019”, ku është rënditur në vendin 101-të, derisa një vit më herët ka qenë në vendin 93-të.

Kështu u bë e ditur në publikimin e raportit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Transparency International Kosova (TIK).

Florent Spahija nga KDI tha se Kosova ka shënuar rënie në luftën kundër korrupsionit.

“Kosova ka shënuar rënie në luftën kundër korrupsionit, nga 37 pikë sa ka pasur vitin e kaluar, ka 36 pikë sivjet. Nga vendi i 93 kemi rënë në vendin 101. Kosova është në një vend me Bosnjën, Panamanë, është larguar nga mesatarja evropiane. Rangimi i dobët i Kosovës i atribuohet institucioneve të drejtësisë, gjykatave, prokuroritë. Flasim për transparencë të ngushtuar, mungesa e institucioneve në transparencë e ka ranguar këtu Kosovën. Vlen të theksohet se Kosova është një pikë me mirë se Shqipëria, por është më keq se Serbia”, tha ai.

Ai përmendi tri fusha ku duhet të fokusohet për të shënuar progres.

“Kosova duhet të fokusohet në tri fusha, pavarësia e sistemit gjyqësor, prokurimi publik dhe lufta kundër korrupsionit”, shtoi ai.

Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi të enjten Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, i cili vlerëson se mbi dy të tretat e vendeve janë duke stagnuar ose shënuar hapa prapa në përpjekjet anti-korrupsion. Indeksi radhit 180 vende dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër. Kosova, në indeksin e sivjetmë, radhitet e 101-ta me 36 pikë. Ky rezultat do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 93-të, me 37 pikë.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përmirësim të lehtë në luftën kundër korrupsionit ka shënuar vetëm Mali i Zi. Në indeksin e sivjetmë të organizatës Transparency International, ky vend radhitet në pozitën numër 66, krahasuar me pozitën 67 që ka pasur një vit më parë. Bosnje dhe Hercegovina sivjet radhitet në të njëjtën pozitë si Kosova, 101, ndërsa vitin e kaluar ka qenë e 89-ta. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë në pozitën 106, ndërsa kanë qenë në 93, respektivisht 99. Serbia ka rënë nga pozita 87 në pozitën 91.

Back to top button