Luftimet në Mosul

Amnesty International ka kërkuar që koalicioni t’i mbrojë civilët

Organizata Amnesty International ka kërkuar nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara , i cili po lufton kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), në qytetin irakian, Mosul, që t’i parandaloj viktimat civile.

Ky raport i kësaj organizate u publikua, pasi zyrtarët amerikanë kanë pranuar se forcat e koalicionit kishin dorë në sulmin ajror në Mosul, më 17 mars, nga i cili, sipas Amnesty International, u vranë 150 civilë, shkruan rtv21.tv

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara nuk kanë konfirmuar se ka pasur viktima civile, por i kanë hapur hetimet.

Në raportin e Amnesty International theksohet se dëshmia e mbledhur në terren në Mosul “tregon për një model alarmues të sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, nga të cilat janë shkatërruar shumë shtëpi me familjet e tëra brenda”.
Në raport, po ashtu, shkruan se çfarëdo dështimi për ndërmarrjen e masave për evitimin e viktimave civile do të jetë “shkelje flagrante e së drejtës humanitare ndërkombëtare”.
Koalicioni i udhhequr nga Shtetet e Bashkuara po i ndihmon nga ajri forcat e qeverisë së Irakut, që po zhvillojnë luftime për marrjen e kontrollit të Mosulit, që prej vitit 2014 është i okupuar nga militantët e Shtetit Islamik./21Media

Back to top button