"Përpjekjet për të ushtruar presion në punën e Prokurorit të Shtetit janë të papranueshme"

“Përpjekjet për të ushtruar presion në punën e Prokurorit të Shtetit janë të papranueshme”

Prokurori i Shtetit sot reagoi ndaj deklaratave të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila gjatë një konference për media ditën e djeshme tha se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ”si bartës i institucioneve të drejtësisë nuk po e zbaton ligjin”, duke iu referuar ushtrimit të funksioneve publike të Kryeprokurorit të Shtetit.

Prokurori i Shtetit konsideron se janë deklarata të paqëndrueshme, të pasakta dhe të njëjtat kanë për qëllim cenimin e integritetit të Kryeprokurorit të Shtetit.

“Ia kujtomë deputetes së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, por edhe publikut, opinionin juridik të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), të dhënë më 09.07.2018 në lidhje me kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për ushtrimin e funksioneve publike, ku thuhet se; “Nuk ka konflikt interesi në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe funksioneve; Anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Anëtar/ Kryesues i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, Anëtar i Bordit Drejtues të Njësisë së Inteligjencës Financiare, Anëtar i Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe nuk ka konflikt interesi të qenurit Kryetar i Komisionit për Provim të Jurisprudencës”, bëhet e ditur në reagimin e Prokurorit të Shtetit.

Prandaj, siç theksohet në reagim, Agjencia Kundër Korrupsionit ka konsideruar se të gjitha angazhimet shtesë të Kryeprokurorit të Shtetit, nuk janë në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e konfliktit të interesit.

“Ushtrimi i këtyre funksioneve nga ana e Kryeprokurorit të Shtetit është në harmoni me ligjet të cilat i kanë miratuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe nëse mendoni që Kryeprokurori i Shtetit nuk duhet t’i ushtrojë këto funksione, atëherë ju si deputet duhet t’i ndryshoni këto ligje. Si deputete e Kuvendit të Kosovës duhet të jeni shembull i mirë i respektimit të ligjeve dhe duhet t’i lexoni mirë vendimet e institucioneve dhe agjencive të tjera ligj-zbatuese, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lëshoheni në deklarata të tilla të cilat kanë për qëllim dëmtimin e imazhit të institucionit të Prokurorit të Shtetit”, theksohet tutje në reagim.

Prokurori i Shtetit është institucion kushtetues, unik dhe i ndërtuar mbi parime kushtetuese dhe ligjore si i pavarur dhe i paanshëm. “Mbi këto parime kam punuar edhe unë si Kryeprokuror i Shtetit që nga momenti kur kam marrë detyrën. Andaj, të gjitha përpjekjet nga kushdo qoftë, përfshirë edhe ato politike për të bërë presion të çfarëdo lloji në punën e Prokurorit të Shtetit janë të pa pranueshme dhe ju garantoj se këto përpjekje do të dështojnë”, ka theksuar kryeprokurori Lumezi.