Lushtaku: Nuk kam akuzë për korrupsion e as krim të organizuar

Lushtaku: Nuk kam akuzë për korrupsion e as krim të organizuar

Ish kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, i cili aktualisht është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Skënderaj ka deklaruar se këtë mandat i kanë dhënë anëtarët e Partistë Demokratike dhe sipas tij vetëm ata mund ta largojnë nga ky post.

“Ditëve të fundit në media është lakuar pa të drejtë emri im, lidhur me disa vendime të brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës. Dëshiroj të sqaroj që unë së fundi jam zgjedhur Kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj me mbi 90% të votave nga delegatët e Kuvendit të Degës dhe pastaj anëtar i Këshillit Drejtues në Konventën e IX të PDK-së, në nivelin qendror. Mandatin ma kanë dhënë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës nga të gjitha nëndegët dhe vetëm ata kanë të drejtë të më ndëshkojnë me votën e tyre për mospunën time.”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Po ashtu Lushtaku ka mohuar të ketë ndonjë aktakuzë për korrupsion.

“Sa për sqarim, nuk është e vërtetë që unë kam ndonjë aktakuzë që lidhet me korrupsion ose ndonjë aferë që lidhet me krim të organizuar apo shpërdorim të detyrës zyrtare. E vetmja aktakuzë, dhe të cilën as tash e tutje nuk e pranoj, lidhet me transferimin tim në organet e zbatimit të drejtësisë në veri, ku konsideroj se do të rrezikohej jeta ime. Kësisoj, unë kam përshtypjen se askush nuk e ka qëllimin të më përjashtojë nga partia, në të cilën jam mishëruar dhe jam pjesë e saj që nga fillimi.”, ka shkruar Lushtaku.

Tutje ai ka adresuar akuza ndaj disa personave në PDK, të cilëve nuk u ka përmendur emrin, sipas Lushtakut personat në fjalë e kanë bllokuar Kosovën dhe PDK-në.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirëinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë.
E nuk e besoj që duhet të luhen lojëra si viktimizimi i figurave të tilla si Gjenerali Agim Çeku e të tjerë për asnjë arsye.”, ka përfunduar Lushtaku./21Media