Lushtaku: Të përkrahet iniciativa e Veselit

Lushtaku: Të përkrahet iniciativa e Veselit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës që njëherësh është kryetar i Kuvendit, Kadri Veselit, të shtunën nëpërmjet një konference për media ka paralajmëruar një komision hetimor për të hetuar listat e veteranëve të luftës.

Këtë iniciativë e përkrah njëri nga komandantët e UÇK-së, Sami Lushtaku.

Lushtaku tha se po e pret me padurim formimin e këtij komisioni duke u shprehur se ky është gëzimi më i madh i tij që nga çlirimi i Kosovës.

“Pastrimi i listave për mua është gëzimi më i madh që nga çlirimi i Kosovës. Mezi s’po pres që t’ i shoh listat e pastruara me vetëm ata veteranë që kanë luftuar përnjëmend.  Pastrimi i listave bën që ushtarët që kanë luftuar për këtë vend të ndihen krenar dhe jo të rreshtohen me ata që nuk kanë bërë asgjë, të barazohen me ata që kanë jetuar në Gjermani me ata që kanë qëndruar në istikame”, tha Lushtaku për KP.

Ish kryetari i Skenderajt, shtoi se reputacioni i UÇK-së nuk zbehet asnjëherë pavarësisht sulmeve të atyre njerëzve që tërë jetën kanë punuar kundër vlerave të luftës dhe UÇK-në.

Madje Lushtaku fton edhe bartësit tjerë të luftës, por edhe partitë politike që ta përkrahin iniciativën e Veselit për të hetuar listat e veteranëve. Pasi sipas tij,  secili pjesëtar i UÇK-së do të ndihet shumë mirë kur kjo të ndodhë.

Sami Lushtaku ka qenë komandant i UÇK-së për Zonën e Drenicës ndërsa pas luftës ka mbajtur postin e kryetarit të Skenderajt për disa mandate.

Lushtaku aktualisht është kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj.