Macron në Beograd

Macron në Beograd

“Serbia dhe Kosova janë shtete evropiane dhe ne duhet të ndihmojmë që kjo të bëhet fakt”, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Ai i bëri këto komente në Beograd – ku po qëndron për vizitë dyditëshe – pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Macron tha se Evropa duhet ta mbështesë rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje konkrete në muajt e ardhshëm.

“Unë do të angazhohem personalisht për këtë, sepse besoj në Evropë”, tha Macron në konferencën për media.

I pyetur nëse Franca mund të ofrojë zgjidhje konkrete për vazhdimin e dialogut, Macron tha: “Nuk jam këtu për t’ju dhënë mësim”.

“Nuk kam përgjigje, nuk ka zgjidhje magjike as në xhepin tim, as në atë të Gjermanisë, të Shteteve të Bashkuara apo të Rusisë”, tha Macron, duke paralajmëruar një takim të ri të delegacioneve.

“Do të organizoj një takim të posaçëm me udhëheqësinë e Kosovës, me ju, kryeministren e Serbisë dhe kancelaren (gjermane, Angela) Merkel… Franca është e angazhuar për të gjetur një marrëveshje të qëndrueshme”, tha ai./REL