Në Brazil prej ditësh kanë shpërthyer zjarret në pyje

Në Brazil prej ditësh kanë shpërthyer zjarret në pyje

Presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se drejtuesit e Grupit 7 janë duke u përgatitur të nxjerrin një zgjidhje të përbashkët për zjarret e mëdha në Amazonë.

Macron tha se liderët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje që do të krijojë mekanizma teknikë dhe financiarë për të riparuar dëmet e shkaktuara nga zjarri.

Për shkak të përgjigjes së vonuar të Qeverisë braziliane ndaj zjarreve, Macron ka kërcënuar të pezullojë një marrëveshje tregtare me Brazilin dhe vendet e tjera të Amerikës së Jugut.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo pajtohet që Amazona është shumë e rëndësishme, por kundërshton pezullimin e marrëveshjes tregtare.

Në Brazil prej ditësh kanë shpërthyer zjarret në pyje, më të rëndat që prej shumë vitesh. Sipas gazetës “Folha de S. Paulo” janë regjistruar gjithsej 72.843 zjarre.

Në shumicën e rasteve kanë qenë të prekura prej zjarreve pyje në prona private, por edhe në zona të mbrojtura natyrore dhe prona të popullsive indigjene.