“Evropa nuk do të jetë e qëndrueshme nëse këto marrëdhënie nuk zgjidhen”

“Evropa nuk do të jetë e qëndrueshme nëse këto marrëdhënie nuk zgjidhen”

Duke folur me diplomatët e huaj pas përfundimit të samitit të G7-ës në Francë, presidenti francez Emmanuel Macron e pranoi se disa aleatë do të refuzojnë çdo lloj bisedimesh me Rusinë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Gjithsesi sipas tij,  kontinenti evropian nuk do të jetë kurrë i qëndrueshëm dhe i sigurt nëse marrëdhëniet e tij me Rusinë nuk zgjidhen.

Mendoj se duhet të ndërtojmë një model të ri për sigurinë dhe besimin në Evropë. Kontinenti evropian nuk do të jetë kurrë i qëndrueshëm dhe i sigurt nëse nuk gjen paqe dhe përmirësim të marrëdhënieve me Rusinë. Të jemi të qartë se kjo nuk është në interes të disa prej aleatëve tanë. Disa prej tyre gjithmonë do të bëjnë presion për të vendosur më shumë sanksione ndaj Moskës. Kjo është në interesin e tyre, edhe nëse ata janë miqtë tanë. Por nuk është në interesin tonë”, tha Macron.

Gjatë samitit të G7-ës, edhe presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje për rikthimin e Rusisë në grupin elitar nga i cili u përjashtua pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Por, presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, politikan nga Polonia, kritikoi Trumpin për sugjerimin se Rusia duhet të ftohet në takimet e G7-ës. Britania gjithashtu kundërshton rikthimin e Rusisë në G7. Marrëdhëniet e Londrës me Moskën u dëmtuan pas helmimit të një ish-spiuni rus në Angli në vitin 2018, një akt flagrant për të cilin Britania fajëson Kremlinin.

Macron tha se Rusia nuk mund të pranohet në grup si anëtare e plotë për shkak të veprimeve të saj në Britani dhe Ukrainë, por ai tha se largimi i saj nga Evropa është një gabim strategjik, i cili ka bërë që Moska të ndërtojë aleanca diku tjetër. Ai tha se Franca dëshiron ta ndryshojë këtë dhe është e gatshme të veprojë vetë nëse Rusia i plotëson kushtet kryesore në lidhje me konfliktin në Ukrainë.