Madison: SHBA ka nevojë udhëheqje serioze në Qeveri, gjyqësor dhe Kuvend

“SHBA i bëjnë këto investime në Kosovë me shpresën se Kosova do të mbetet një partner për paqen”

Ndihmës-sekretarja e Shtetit për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit, Kirsten D. Madison sot deklaroi se dështimi në adresimin e korrupsionit do të minojë përfundimisht edhe ligjet e shkruara më së miri, ndërsa theksoi se SHBA ka nevojë për partnerë dhe udhëheqje serioze në Qeveri, gjyqësor në Kuvend dhe në Polici për të qenë të suksesshëm.

Këto komente ajo i bëri me rastin e dhënies donacion të softwerit për identifikim të shenjave të gishtërinjve Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, i njohur si AFIS.

Ajo bëri të ditur se ky donacion kap shifra miliona dollarë, ndërsa tregoi edhe arsyet se pse po bëhen këto investime në Kosovë, duke theksuar se qëllimi i këtyre investimeve është që Kosova të mbetet një partner për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin në rajon.

“SHBA i bëjnë këto investime në Kosovë me shpresën se Kosova do të mbetet një partner për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin në rajon. Krimi i organizuar transnacional ndikon në të gjitha vendet dhe të gjithë përfitojmë kur arrijnë të lehtësojmë bashkëpunimin dhe të përmirësojmë aftësitë e kombeve të tjera. Kosova ka arritur përparim të rëndësishëm në forcimin e institucioneve të veta të sundimit të ligjit, legjislacionit dhe të efikasitetit gjyqësor. Por besimi i publikut mbetet i ulët. Dështimi në adresimin e korrupsionit do të minojnë përfundimisht edhe ligjet e shkruara më së miri dhe institucionet më të reformuara dhe qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë. Ne duam t’ju ndihmojmë të bëni përparim dhe ne kemi nevojë për partnerë dhe udhëheqje serioze në Qeveri, në gjyqësor, Kuvend, polici dhe në mesin e popullatës për të qenë të suksesshëm”, tha Madison.

Ajo tha se asistenca për AKF-në është vetëm një pjesë e vogël e asaj që kanë ofruar për sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë, ku janë përfshirë fonde për Policinë e Kosovës, Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Inspektoratin Policor të Kosovës, Këshillin Prokurorial dhe Ministrinë e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme.

Ajo tregoi detaje për donacionin që sot i kanë dhuruar Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.

“AFIS është një sistem i bazës së të dhënave penale që përpunon, modifikon, kontrollon, gjen dhe ruan gjurmët e gishtërinjve dhe të pëllëmbëve për të identifikuar kryerësit e krimeve. AFIS do të përdoret për të përpunuar informatat nga skenat e krimit, për të ndihmuar qendrat e ndalimit dhe kalimet kufitare dhe për të koordinuar shkëmbimin e informacionit me organet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit si INTERPOL. Ky donacion i ShBA-së përfaqëson një investim prej miliona dollarësh në Kosovë, si një partner i fuqishëm i zbatimit të ligjit që po forcon përkushtimin e vet për sundimin e ligjit.”, tha ajo.

Po ashtu, Madison bëri të ditur se INL-ja ka asistuar Agjencinë e Kosovës për Forenzikë që nga hapja e saj në vitin 2003 me më shumë se 20 milionë dollarë në pajisje, softuer dhe trajnim.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa tha se ky donacion është shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Ky takim ke kurorëzimi i një donacioni që bëri vet shteti Amerikan për Kosovën, ky është një donacion i cili na jep të kuptojmë se jemi një ndër shtetet të vetme në rajon që e kemi këtë donacion dhe këtë softuer shumë të rëndësishëm për sigurinë e vendit. Njëherit edhe për sigurinë e kontrollerëve doganor, sigurinë në sistemin legjislativ, sistemin e Policisë, do të thotë për kohën sa më të shkurt dhe sa më të saktë bëjmë identifikimin e shenjave të shuplakës së dorës, gishtërinjve. Ky donacion kalon vlerat e milionë dollarëve, do të thotë që është një donacion në 10 vjecarin e ardhshëm do të jetë një nga donacionet mjaftë të domosdoshëm për institucionin e Forenzikës”, tha ministri.

Ndihmës-sekretarja e Shtetit për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL), Kirsten D. Madison, gjatë ditës ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj.

Back to top button