Premierë teatrore në Kumanovë

Premierë teatrore në Kumanovë

Për dashamirët e artit skenik, sonte, e shtunë, sonte më 9 dhjetor, në skenën e Teatrit të Kumanovës do të shfaqet premiera e psikodramës “Maksi dhe Kimi” e autorit të mirënjohur shqiptar, Haqif Mulliqi me regji të regjisorit të njohur, Nehat Memetit. Në këtë projekt teatror, duodramatik, do të paraqiten aktorët: Musa Isufi dhe Ismail Kasumi, dy prej emrave më të njohur të teatrit shqiptar në Maqedoni dhe më gjerë.

“Maksi dhe Kimi” është dramë e autorit tonë më të botuar dhe më të inskenuar, Haqif Mulliqit e që është shkruar brenda zhanrit të trilerit psikologjik. Drama dinamike që trajton fatin e dy ish-miqve brenda një rrethane të nderë psikologjike, me shumë kthesa, tensione dhe ndryshime situatash të cilat e mbajnë shikuesin nën presion të pandërprerë.

“Maksi dhe Kimi” bashkë me dramat “Parfumeria” dhe ” Asgjë veç Gjuzepse” paraqet trilogjinë e parë në dramaturgjinë e H. Mulliqit, në ciklin e dramave psikologjike që janë ndërtuar brenda filozofisë së dramës së absurdit dhe, si të këtilla, edhe e kanë zgjuar kërshërinë e publikut dhe të krijuesve teatror, jo vetëm shqiptar ngase janë inskenuar edhe nëpër teatro të ndryshme evropiane.

 

Profesor Mulliqi shprehet me fjalë miradie për punën e regjisorit të shfaqjes, Nehat Mehmeti.

“Nehati, jo vetëm se është një autor i njohur dhe i shpërblyer, por, gjithsesi është edhe një prej zërave më kreativ të regjisures teatrore shqiptare. Në veprën time ishte i qartë dhe i saktë në idetë dhe konceptet e tija dhe kjo, s’do mend se krijon një rehati në shpirtin e një autori si puna ime. Ky është bashkëpunimi im i parë me profesor Nehatin dhe shpresoj të mos ndalojmë vetëm këtu dhe me kaq!” tha Mulliqi.

Përndryshe autori i kësaj drame shprehet me fjalë vlerësuese edhe për aktorët Musa Isufi dhe Ismail Kasumi.

“Musa dhe Ismaili janë aktorë të veçantë të cilët do të dëshironte t’i kishte në projektin e vetë çdo autor!”, u shpreh profesor Mulliqi për portalin RTV21.

Premiera e shfaqjes do mbahet sonte, në Teatrin e Kumanovës me fillim në ora 19-të./21Media