Norvegjezët ndihmojnë nxënësit kosovarë

Norvegjezët ndihmojnë nxënësit kosovarë

Në Malishevë është themeluar Qendra për Karrierë në Qendrën e Kompetencës “Kujtim Krasniqi”, e cila do të ndihmojë rreth 600 nxënës të kësaj shkolle për të zhvilluar një karrierë të suksesshme arsimore dhe ndërlidhjen më të mirë me tregun e punës.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, falënderoi Ambasadën Norvegjeze, për kontributin e dhënë në ndërtimin e këtij objekti arsimor, për trajnimet profesionale të mësimdhënësve që ka ofruar në Norvegji.

Ndërkaq drejtori i Qendrës së Kompetencës “Kujtim Krasniqi”, Nazmi Zogaj, tha se Qendra për Karrierë do të ndihmojë nxënësi e kësaj shkolle për të zhvilluar një karrierë të suksesshme, arsimore, profesionale dhe jetësore, si dhe ndërlidhjen më të mirë me tregun e punës.

Nga kjo Qendër për Karrierë do të përfitojnë nxënësit e tanishëm, të sapo diplomuarit, të rriturit që kanë braktisur shkollën, bizneset, prindërit dhe komuniteti në përgjithësi, njëherësh do të përforcohen marrëdhëniet me sektorin privat dhe tregun e punës.

Ndryshe, qendra të këtilla të karrierës deri më tash janë themeluar në tetë komuna të Kosovës./21Media