Poezi nga Lasgush Poradeci

Poezi nga Lasgush Poradeci

MALLI

Syri i bukur që t’u mvrenjt,
Syri yt që më lëndon,
Do më lërë a von a shpejt,
Do më lërë a shpejt a von.

Sapo shpirti m’u dëlir,
Shpirti im i nxirë krejt,
Do më lërë me pahir,
Syri i bukur që t’u mvrenjt.

E do mbetem përnjëmend,
Varfanjak si mbret pa fron:
Mbretëresha që më çmend,
Do më lërë a shpejt a von.

Do më lërë a von a shpejt,
Do më lërë a shpejt a von,
Syri i bukur që t’u mvrenjt,
Syri yt që më lëndon.

Do më lërë…A! por si,
Qoftë ahere ose tani,
Do të qaj aq dashuri,
Që do humb me mall te ti?

Mua mendja s’m’a kupton,
Mua syri s’ma vështron,
Po fillon edhe vajton,
E kullon, kullon, kullon:

Mall! o mall! që vjen e shkon!

Vjen e shkon e prapë vjen,
Mall që len nga perëndon:
Len e vjen e zjen e bren:
Malli mallin me s’e gjen…