Kampioni u vendos në ndeshjen e fundit

Kampioni u vendos në ndeshjen e fundit

Ishte një sezon interesant në Angli, me një rivalitet të madh mes Manchester Cityt dhe Liverpoolit, që garonin për pozitën e parë.

Kjo garë vazhdoi deri sot, kur ishin edhe ndeshjet e fundit të sezonit në Premierligë. Manchester City ishte vetëm 1 pikë para Liverpoolit që e ndiqte në pozitën e dytë, shkruan rtv21.tv.

Me ndeshjen e sotme kundër Brighton, City e vulosi titullin e kampionit, duke fituar me rezultat 1 me 4 si mysafir, me golat e Sergio Agueros, Aymeric Laportes, Riyad Mahrezit e Ilkay Gundoganit.

Edhe Liverpool në anën tjetër fitoi kundër Wolverhampton, me rezultat 2 me 0 me 2 golat e Sadio Manes, mirëpo kjo nuk mjaftoi, dhe sezonin klubi e përfundon në vendin e dytë. Një ngushëllim për ta mund të jetë fakti që kanë mbërritur në finalen e Ligës së Kampionëve, ku do të përballen me Tottenhamin.

Ky është titulli i katërt i Manchester Cityt në Premier Ligë, dhe i dyti radhazi./21Media