Të shtunën do të luhet derbi i Anglisë, mes Manchester United dhe Liverpool

Të shtunën do të luhet derbi i Anglisë, mes Manchester United dhe Liverpool

Liverpooli po zhvillon një sezon fantastik këtë vit që falë lojës sulmuese po dhuron edhe spektakël pothuajse në çdo ndeshje.

Një test të vështirë këtë fundjavë e ka para vetes skuadra e Jurgen Klopp, ku do të ndeshet me rivalin Manchester United. Sipas sulmuesit të “The Reds”, Sadio Mane, Liverpooli është i gatshëm të përballet me çdo skuadër dhe se nuk i frikohet asnjë kundërshtari.

“Nuk do të jetë e lehtë të shtunën, por siç e kam thënë edhe më parë ne mund ta mposhtim çdo ekip që na del përpara”, ka thënë Mane për Sky Sports. “Thënë të vërtetën, United është një prej ekipeve më të mira në Angli, por ashtu jemi edhe ne”, ka thënë Mane.

“Është një ëndërr për çdo futbollist të luajë ndeshje të këtilla ne kemi një skuadër të fortë dhe kemi respekt për ta, por nuk i frikohemi askujt. Kemi vetëbesim dhe duke parë cilësitë e ekipit, mund t’ia dalim edhe ndaj tyre”, ka përfunduar sulmuesi senegalez.

Liverpooli renditet në pozitën e tretë në tabelë me 60 pikë, dy më pak se Manchester United që është një pozitë më lartë.