Ky aplikacion ka gjetur përdorim të gjerë

Ky aplikacion ka gjetur përdorim të gjerë

Aplikacioni i kthyer në tendencën e momentit që lejon që çdokush të shoh veten të transformuar në pleqëri, ka pushtuar rrjetet sociale, por dhe personazhet shqiptarë. Ndër përdoruesit e parë ishte ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Por përpos fotove personale, në rrjet kanë nisur dhe memet. Mediat ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime për privatësinë dhe pronësinë e aplikacionit që i përket një shtetasi rus.

Aplikacioni që me anë të përpunimit të fotove lejon përdoruesit të shohin sesi do të duken pas shumë vitesh kur të plaken, ka gjetur përdorim të gjerë në harkun e 24 orëve.

Truku elektronik ka marrë përmasat e manisë në rrjetet sociale, ndërsa është përdorur edhe nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, për të ironizuar zvarritjen e procesit gjyqësor ndaj tij.

Manisë për të parë sesi mund të jenë pas shumë vitesh apo edhe për të rikthyer në memorje imazhin e shumë viteve më parë kur kanë qenë të rinj, nuk i kanë shpëtuar as personazhet publikë.

Përpos fotove personale që disa personazhë kanë publikuar në llogaritë e tyre personale, në rrjet nuk kanë munguar dhe memet me personazhet politikë.

Por media ndërkombëtare ka ngritur shqetësimin se ky aplikacion të cilin po e instalojnë të gjithë në telefonat e tyre, është në pronësi të shtetasit rus, Jaroslav Goncharov.

Në politikat e privatësisë shkruhet se administartorët kanë të drejtë të përdorin materialet e postuara në aplikacion, ndaj dhe skeptikët e shohin si një mënyrë për të dërguar informacione personale në shtetin rus.

Aplikacioni Faceapp numëron plot 310 mijë ndjekës në Facebook, pjesa më e madhe e të cilëve kanë rënë pre e trendit për të parë veten të plakur./oranews