Ajo konsiderohet si një ndër bienalet më të rëndësishme të artit në Evropë

Ajo konsiderohet si një ndër bienalet më të rëndësishme të artit në Evropë

Manifesta konsiderohet si një ndër bienalet më të rëndësishme të artit në Evropë. Kjo bienale “udhëton” çdo dy vite nëpër qytete evropiane ndërkaq, komuna e Prishtinës po synon të jetë nikoqire e Manifesta-s në vitin 2022.

Yll Rugova, drejtor i Kulturës në komunën e Prishtinës, ka thënë se Prishtina po konsiderohet si kandidati më i përshtatshëm për bienalen e vitit 2022, të cilën e ka krahasuar me kampionatet e sportit.

“Manifesta është një prej bienaleve më të rëndësishme të artit në Evropë, do të thotë një bienale që ata e quajnë nomade, pra që lëviz çdo dy vjet në një shtet tjetër, sa për krahasim ndoshta me sportet, e ka një model sikur kur organizohet një kampionat, për shembull evropian, që çdo katër vjet mbahet në një shtet tjetër. Njësoj është edhe Manifesta sa i përket arteve pamore, ajo çdo dy vite mbahet në një kryeqytet apo qytet evropian”, ka thënë Rugova.

Për organizimin e kësaj bienaleje në Prishtinë, Rugova ka thënë se nevojiten afro 4 milionë e 600 mijë euro investim për shpenzime kapitale, formim të veprave artistike e burime njerëzore. Sipas tij, ky investim do t’i kthehet pesëfish Prishtinës.

“Përveç investime që i sjellë, i sjellë diku edhe rreth 200 mijë vizitorë nga gjithë Evropa, të cilët vijnë enkas për Manifesta-n, që nëse përkthehet në të hyra, i bie diku rreth 20 milionë të hyra për qytetin e Prishtinës”, ka thënë Rugova.

E për t’u pranuar Prishtina si nikoqire e Manifesta-s, duhet që deri në fund të tetorit të ofrojë garanci financiare, të paktën 50 përqind të buxhetit. Për këtë, Rugova u ka drejtuar edhe kërkesë publike institucioneve qendrore.

“E kemi marrë një përgjigje nga Ministria e Kulturës, të cilët na kanë ftuar në takim edhe jemi duke diskutuar. Njëherë për një herë është gjithçka shumë optimiste, kemi pasur po ashtu përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme, jemi duke negociuar, duke diskutuar, edhe aty po duket që gjasat janë optimiste, mbetet në ditët në vijim të shohim nëse po arrijmë të konkretizojmë diçka”, ka thënë Rugova.

Përveç vizitorëve e miliona eurove të hyra, Rugova ka njoftuar që ky festival do t’i sjellë Prishtinës edhe artistë ndërkombëtar e qendra të urbanizmit.

“Për shembull në Marsej do të jetë një nga studio botërore të arkitekturës që do të bëjë projekte për lagje të ndryshme të qytetit atje në bashkëpunim edhe me artistët, madje do të hapen disa qendra në qytet që do të mbesin më pas, që do ta trajtojnë anën urbanistike të qytetit. Me siguri edhe këtu do të ketë diçka të ngjashme, ku të hapen qendra të urbanizmit që do t’i ftojnë edhe të rinjtë të jenë pjesë aktive e zhvillimit urban të qytetit”, ka thënë Rugova.

Ndër të tjerash, ai ka thënë se përveç që do ta vendosë Kosovën në hartën kulturore të Evropës, kjo bienale do të hapë edhe rrugë të tjera.

“Manifesta është vetëm hapi i parë në drejtim të vendosjes së Prishtinës në hartën evropiane të kulturës, ne kemi mundësinë që më pas të aplikojmë edhe për t’u bërë kryeqytet evropian i kulturës, që po ashtu është një titull që bashkimi evropian ia jep një qytetit evropian çdo vit edhe kishte me qenë shumë mirë nëse Prishtina e fiton edhe atë titull. Besoj që pas Manifesta-s, neve na hapet rruga për diçka të tillë, dhe ky do të ishte një lajm tjetër shumë i mirë për kryeqytetin tonë”, ka thënë Rugova.

Manifesta së fundmi është mbajtur në Palermo, në vitin 2020 do të mbahet në Marsej të Francës, e në Prishtinë po synohet të mbahet në vitin 2022.