Maqedoni: Anulimi i zgjedhjeve ngjall reagime në Kuvend

“Zaev do të kërkojë 3 mijë mënyra si t’i anulojë zgjedhjet”

Paralajmërimi se nëse nuk miratohen ligjet thelbësore, mund të anulohen zgjedhjet parlamentare ka ngjallur reagime në Kuvend në Maqedoninë e Veriut. Reagime ka pasur nga disa deputetë të shumicës dhe opozitës.

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi ka deklaruar se nëse ka vullnet politik, të gjitha ligjet mund të miratohen para 11 shkurtit dhe nuk do të ketë arsye që të anulohen zgjedhjet, raporton TV21.

“Edhe ato ligje që janë në procedurë, në qoftë se kemi vullnet politik, midis partive politike parlamentare, atëherë do të mund të arrihet që të miratohen para 12 shkurtit, para se të shpërbëhet Parlamenti, në mënyrë që t’i plotësojmë të gjitha kushtet edhe para Këshillit të ardhshëm të Bashkimit Evropian, por edhe të miratojmë ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit në NATO në mënyrë që mos të ketë asnjë pengesë për ecurinë tonë euro-atlantike”, deklaroi Artan Grubi nga BDI.

Sipas Ilija Dimovskit nga VMRO-DPMNE-ja, paralajmërimi i Zaevit vjen sepse anketat e fundit thonë se partia e tij është në nivel të ulët, dhe jo se po bllokohen miratimet e ligjeve në Kuvend.

“Kryeministri Zaev do të kërkojë 3 mijë mënyra si t’i anulojë zgjedhjet. Tërë kohën përpiqet si të fusë trazira në Kuvend dhe në marrëdhëniet e partnerëve të koalicionit. Me shumë gjasë gjatë ditës së djeshme ka marrë anketa të reja në tryezën e tij dhe ka parë trendi i përkrahjes e ka në linjë ekstremisht të ulët. Ne asnjëherë nuk kemi bërë problem në Kuvend për ligjet bazike, përkundrazi bëjmë problem për shkelje të Rregullores dhe kur Kuvendi bllokohet për një javë me 300 ligje”, u shpreh Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

Në të njëjtën vijë është edhe partia Besa. Deputeti i saj, Fadil Zendeli ka vlerësuar se kryeministri ka pasur kohë për të miratuar ligjet dhe prandaj zgjedhjet nuk mund të anulohen, sepse siç tha ai, ashtu janë marrë vesh të gjitha partitë politike te presidenti Stevo Pendarovski.

“Deklaratën e kryeministrit e kuptoj si deklaratë për t’i ikur zgjedhjeve për shkak se zgjedhjet janë të organizuara dhe parashikohen sipas marrëveshjes së partive politike te presidenti i shtetit. Në këtë kontekst, arsyetimi i kryeministrit se duhet të sillen ligje apo propozim – ligje substanciale, nuk qëndron për shkak se kryeministri ka pasur kohë, qeveria ka pasur mjaftë kohë që projektet e veta më herët t’i dorëzojë në Kuvendin republikan dhe të kalojnë me një procedurë normale, dhe jo ditët e fundit siç ishte dita e djeshme ku filloi seancë me 120 e ca pikë”, tha Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

Këto reagime vijnë pasi sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev tha se nëse nuk miratohen ligjet thelbësore në Kuvend, atëherë rrezikohet mbajtja e zgjedhjeve më 12 prill./21Media

Back to top button