Rama: Kufij fluid, njëjtë si ato mes shteteve të BE-së

Rama: Kufij fluid, njëjtë si ato mes shteteve të BE-së

Kalimi kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë së shpejti do të jetë me një pikë kontrolli, kumtuan sot kryeministrat e dy vendeve Zoran Zaev dhe Edi Rama. Lehtësimi për kalimin e njerëzve dhe mallrave më gjerësisht do të diskutohet në takimin e përbashkët mes dy qeverive, që siç lajmëroi Zaev, do të mbahet këtë verë, pas zgjedhjeve presidenciale.

“Njëra nga çështjet që do të diskutohet është hapja e “One stop shop”, pra pika e përbashkët kufitare e Qafëthanës ku më së paku do të përgjysmojmë kohën e pritjes së pasagjerëve dhe mallrave mes dy vendeve që tani është e pakëndshme nga pritjet e gjata, këtë e kemi obligim ta mundësojmë. Sa u përket këtyre institucioneve, nënkupton vetëm një kontroll, nuk do të kalohet në dy kontrolle, e njëjta do të ndodh edhe për mallrat dhe ky është një hap përpara për avancimin e lirisë së qarkullimit që Procesi i Berlinit dëshiron të arrihet nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.

Shengeni mes Shqipërisë dhe Kosovës është keqkuptuar tha kryeministri Edi Rama, duke shtuar se krijimi i një zone të përbashkët ekonomike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është proces teknikisht i komplikuar por strategjikisht i domosdoshëm.

“Siç e kemi diskutuar, ne e kemi nisur një proces me Kosovën, për fat të keq i keqkuptuar tek-tuk kur kemi folur për një model Shengen, por që për ne është vetëm zanafilla e një procesi që duhet shtrihet në të gjithë rajonin dhe që ne e kemi të gjithë vullnetin dhe dëshirën ta materializojmë në radhë të parë me fqinjët tanë. Kufijtë mes vendeve tona duhet të jenë po aq fluid sa janë kufijtë mes vendeve të Bashkimit Evropian. Nëse këtë gjë do të na duhet ta bëjmë kur të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian me të gjitha vendet e BE-së, askush nuk na pengon që ta bëjmë mes vete sot, jo nesër”, deklaroi Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama.

Shkëmbimi tregtar Maqedoni e Veriut-Shqipëri ka rritje të ndjeshme, me 11% në vitin 2018 deklaroi Rama, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë kurrë më të mira, më produktive dhe premtuese se sa sot. Kryeministri shqiptar Marrëveshjen e Prespës e quajti madhështore ndërsa e përshëndeti edhe ligjin për përdorimin e gjuhëve, miratimi dhe zbatimi i të cilit sipas tij  janë arsye të qenësishme që edhe më tej të fuqizohen marrëdhëniet mes vendeve. Rama shtoi se edhe Shqipëria ka vullnetin për angazhim që pakica maqedonase që jeton në Shqipëri të gëzojë frutet e mira të klimës pozitive mes vendeve. Kryeministri Zaev nga ana tjetër tha se fokusi i të dy vendeve mbetet në qershorin e këtij viti, muaj kur si Maqedonia e Veriut po ashtu edhe Shqipëria, presin të marrin datë për hapje të bisedimeve aderuese për në Bashkimin Evropian. Pritshmëritë e Zaevit janë që deri në fund të këtij viti vendi të bëhet anëtari i 30-të fuqiplotë i NATO-s./TV21