Maqedoni: Kuvendi i stërngarkuar me Propozim-Ligje

LSDM-ja dikur e cilësonte si “tregti”, sot si “parim”

LSDM-ja kur ishte në opozitë vetëm për 103 ligje thoshte se pushteti i atëhershëm, VMRO-DPMNE-ja po bën tregti me ligje. Ndërkaq tash në pushtet, është ajo që po propozon mbi 120 ligje për miratim në Kuvend. Nëse atëherë numrin e madh të ligjeve e vlerësonte si “tregti me ligje”, tash lideri i kësaj partie dhe kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev të njëjtat i cilëson si parim principiel, që ka për qëllim të harmonizojë ligjet tjera me Ligjin për parashtrim të gjobave.

Por, të njëjtën retorikë sikurse LSDM-ja kur ishte në opozitë, po e përdor tani VMRO-DPMNE-ja. Zëdhënësi i kësaj partie Naum Stoilkovski numrin e madh të propozim-ligjeve të dorëzuar në kuvend e quajti si tregtim me vota para zgjedhjeve të 12-prillit të 2020-s, raporton TV21.

Përndryshe, vetëm më 27 dhjetor dhe 23 dhjetor në seanca plenare kanë qenë mbi 120 propozim-ligje dhe Kuvendi ka punuar edhe pas mesnate.

E numri i madh i propozim – ligjeve u bënë mollë sherri mes kryeministrit Zoran Zaev dhe deputetëve të Kuvendit. Zaevi ditë më parë “kërcënoi” opozitën se nëse nuk miratohen ligjet thelbësore me të cilat parashihet rritja e pensioneve dhe pagave që nga janari i 2020-s, do t’i anulojë zgjedhjet parlamentare të caktuara për 12 prill. Ky “kërcënim” ngjalli reagimin e disa deputetëve. Fadil Zendeli nga BESA pati vlerësuar se kryeministri ka pasur kohë për të miratuar ligjet, Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE-ja tha se me numrin e madh të ligjeve po shkelet rregullorja e punës së Kuvendit, e kurse Artan Grubi nga BDI-ja vlerësoi se deri më 11 prill do të miratohen ligjet e nevojshme dhe nuk do të ketë nevojë për anulim të zgjedhjeve./21Media

Back to top button