Maqedoni: Ministrat teknik “vrap” për të akuzuar, çfarë do të mund të bëjnë për 100 ditë?

“Nuk mund të ju premtoj se shumë gjëra do të mund të bëhen për 3 muaj gjatë qeverisë teknike”

Për 100 ditë do të jenë në poste ministrash ose zëvendësministrash teknik, por sa të përzgjedhurit e VMRO-PDMNE-së kanë shpresë se do të ndryshojnë diçka në politikat dhe veprimet e paraardhësve të tyre? Ministrja e re e Punës dhe Politikës Sociale e pranon se nuk mund ta ndryshojë botën brenda 3 muajve, raporton TV21.

“Nuk mund të ju premtoj se shumë gjëra do të mund të bëhen për 3 muaj gjatë qeverisë teknike, një gjë e tillë do të ishte gënjeshtër megjithatë do të krijohet bazë për të vazhduar qeveri e re që do të bëjë ndryshime në funksionimin e ministrisë”, deklaroi Rashela Mizrahi, ministre teknike për Punë dhe Politikë Sociale.

Mizrahi siguron se nuk do t’i kalojë 100 ditët e saj duke bërë revizion për punën e paraardhëses, por nuk tregoi plan konkret për përmirësim të gjendjes, për të cilën tha se nuk është e kënaqshme, e madje akuzoi për tenderë dyfytyrësh dy ditë para formimit të qeverisë teknike.

Me akuza për keqpërdorime doli edhe zëvendësministrja e re teknike në Ministrinë e Administratës. Thotë se në dy muajt  e fundit që kur u morr vesh se do të ketë qeveri teknike janë shpallur 4 mijë vende pune. Është e vetëdijshme se pa nënshkrimin e ministrit dhe zëvendësministrit teknik nuk mund të kryhet punë, por gjithsesi thotë se do të kërkojë anulim të konkurseve.

“Nëse këto numra, nuk përputhen me tre parametrat atëherë do të kërkoj nisje të procesit të rishqyrtimit për punësimet e nëse vërtetohet se nuk ka përputhshmëri do të kërkojë anulim të konkurseve për punësim”, theksoi Nevenka Stemanovska Stojkovski, zëvendësministre e Administratës.

Por ndryshimet nuk mund të bëhen vetëm nga njëra palë?

“Procedura për anulim të ndonjë konkursi mund të fillohet”, deklaroi Nevenka Stemanovska Stojkovski, zëvendësministre e Administratës.

VMRO-DPMNE-ja gjatë 100 ditëve do të udhëheqë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa tashmë përflitet se Ministri i ri teknik Naqe Çulev po bën plane për ndryshime të disa pozitave në sektorë të MPB-së. Në bazë të ligjit për qeveri teknike, Çulev mund që të bëjë deri në 15 shkarkime dhe emërime të reja në sektorë të ndryshëm të policisë./21Media

Back to top button