Osmani: S’do të kemi nevojë për koalicion me parti shqiptare

Osmani: S’do të kemi nevojë për koalicion me parti shqiptare

Asnjë parti shqiptare në Maqedoni nuk dëshiron të koalicionojë me Bashkimin Demokratik për Integrim.

Këtë gjë nuk e do as Aleanca për Shqiptarët, as Lëvizja Besa, as Alternativa e as PDSH-ja.

Zëdhënësi i integristëve Bujar Osmani thotë se BDI-ja as nuk do ta ketë nevojën për koalicion me parti të vogla që, sipas tij, mundohen të faktorizohen duke u krahasuar me BDI-në,  andaj do të dalë e vetme në zgjedhje.

“Unë mendoj që nuk do të ketë nevojë për koalicionime me parti shqiptare për shkak se BDI, në të gjitha anketat  dhe të gjitha analizat që kemi bërë ne dhe institucione relevante flasin se BDI do të marrë një mandat të pastër për të përfaqësuar shumicën e shqiptarëve në qeveri”, tha Bujar Osmani nga BDI, raporton TV21.

E partitë e tjera shqiptare që nuk e duan BDI-në për koalicionim, në mes vete kanë probleme që i pengon për formimin e një blloku opozitar.

Aleanca për Shqiptarët nuk i ka punët mirë me PDSH-në nga ku edhe doli si fraksion politik.

Njëjtë qëndrojnë edhe Lëvizja Besa dhe Alternativa, pjesëtarët e së cilës dikur ishin një parti, e tash janë ndarë.

Nëse opozita shqiptare nuk bashkohet, atëherë për Lëvizjen Besa, Aleanca për shqiptarët mbetet partneri ideal për koalicion.

Kastriot Rexhepi: “Aleanca për shqiptarët është partia e vetme në opozitë momentalisht”.

TV21:Nuk e konsideroni PDSH-në, BDI-në?

Kastriot Rexhepi: “Me partitë në pushtet nuk është e logjikshme që të kemi një farë bashkëpunimi për të ofruar një opsion tjetër nga ajo të cilën ata e përfaqësojnë”.

TV21: Keni komunikim me Alternativën?

Kastriot Rexhepi: “Nuk kemi asnjë lloj komunikimi deri më tani”.

Ditë më parë sekretari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi i tha TV21 se nuk e kanë ndër mend të ulen në tavolinë me Besën, e të cilën e quajtën filial të BDI-së. Për Alternativën tani për tani e pranueshme për koalicion është vetëm Aleanca për Shqiptarët.

Nga partia e Ziadin Selës janë shprehur të interesuar për ta jetësuar koalicionin trepalësh ASH-BESA-Alternativa, por  tani për tani mbeten vetëm me shpresa se Besa dhe Alternativa do të ulen së bashku në një tavolinë./21Media