Maqedoni: Rritet numri i shkeljes së të drejtave të njeriut

Në vend të avancimit të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve, në Maqedoni vërehet ngecje dhe regres

Në raportin vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2016 u konstatua se institucionet në Maqedoni janë tejet të politizuara dhe jofunksionale, ndërsa disa prej tyre zbatojnë edhe agjenda partiake. Gjithashtu në raport, veçanërisht theksohet brutalitetit policor, sidomos në institucionet ndëshkimore-korrektuese. Avokati i Popullit Ixhet Memeti thotë se vitin e kaluar ka parashtruar 5 padi penale për brutalitetin policor. 

Gjatë prezantimit të raportit, Avokati i Popullit maqedonas tha se shqetësuese është edhe rritja e gjuhës së urrejtjes, sidomos gjatë protestave para KSHZ-së pas zgjedhjeve. Sipas tij, një gjuhë e këtillë buron nga funksionarë të lartë publikë dhe nga drejtues të institucioneve.

Gjithashtu në raport janë regjistruar probleme serioze si, mungesa e mbrojtjes shëndetësore sistemore në burgje, probleme me caktimin dhe pagesën e taksës radiodifuzive, fatura tejet të larta të ujit dhe energjisë elektrike, vonimi i ndihmës sociale, mangësi në sistemin pensional të reformuar, joazhurnim i listës zgjedhore, kapacitet i pamjaftueshëm i KSHZ-së dhe frikësim i votuesve.

Sot me rezultate nga hulumtimi i tyre doli edhe Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”. Sipas tyre, pushteti ekzekutiv në Maqedoni është në vend të fundit sa i takon nivelit të transparencës, në krahasim me vendet e rajonit.

“Nga vendet e rajonit, Maqedonia qëndron më poshtë sa i takon transparencës së pushtetit ekzekutiv, gjegjësisht përqindja e kësaj është 36 sipas indikatorëve, gjë që paraqet dështim. Duhet të punohet më shumë në implementimin e detyrimeve të marra. Ligji për qasje deri te informacionet e karakterit publik është i shkëlqyer dhe gjendet në vend të lartë, por implementimi i së njëjtës është i dobët. Institucionet i injorojnë dhe nuk përgjigjen në kërkesat e gazetarëve për informacionet e karakterit publik”, tha Dançe Danillovska, “Metamorfosis”.

Hulumtimi i “Metamorfozis” në lidhje me pushtetin ekzekutiv është realizuar në 6 vende të Ballkanit Perëndimor, për periudhën prej tetorit deri në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Në Maqedoni janë analizuar 112 institucione, ndërsa sot u prezantuan të dhënat për qeverinë, për 15 ministri dhe për 39 organe ekzekutive. Hulumtime të ngjashme do të realizohen edhe në vitin 2017 dhe 2018./21Media

Back to top button