Prindërit në bojkot, drejtori nxjerr jashtë gazetarët

Prindërit në bojkot, drejtori nxjerr jashtë gazetarët

Çfarë problemi ka pse nuk vazhdon në klasën e 6?  “Sepse këtu është vetëm maqedonisht dhe nuk na japin klasën e gjashtë në shqip”, u shpreh një nxënëse.

Kërkesa e Anesës është shumë e thjeshtë, të vazhdojë shkollimin në gjuhën e saj amtare.

Në shkollën fillore Njegosh, në fshatin Jurumleri në Komunën e Gazibabës, nxënësit shqiptarë mësojnë gjuhë shqipe deri në klasën e 5. Nga klasa e gjashtë janë të detyruar të mësojnë në gjuhën maqedonase.

Nxënësit sot shkuan në shkollë, por e bojkotuan mësimin bashkë me prindërit e tyre.

“Më duket shumë e padrejtë deri në të pestën me mësuar shqip e pastaj të kthehemi të mësojmë në maqedonisht. Se gjithë gjërat i mësojnë në gjuhën shqipe është e pamundur që pastaj të mësojnë në gjuhën maqedonase”, tha një prind.

“Nuk hyjmë në mësim se jemi duke bojkotuar mësimin se nuk na jepet mundësia për të mësuar në gjuhën shqipe deri në klasën e 9 nuk mund t’i regjistrojmë edhe nxënësit në tjera vende se nuk i pranojnë. Rrugëdalje tjetër nuk kemi e kërkojmë këtu në shkollën Njegosh ku nuk na jepet leja prej disa vitesh”, shtoi një prind tjetër, raporton TV21.

Për të marrë përgjigjen për nxënësit pse nuk mësojnë në gjuhën shqipe, shkuam edhe tek drejtori i shkollës fillore Nikolla Nastevski. Pas një sjelljeje të pahijshme ndaj gazetarëve, hyri brenda në zyrën e tij dhe e mbylli derën.

Më pas urdhëroi edhe sigurimin që gazetarët t’i nxjerrë jashtë shkollës.

Pas disa minutave drejtori doli në koridoret e shkollës, por duke mos dashur të flasë.

Për çështjen e hapjes së paraleles në gjuhën shqipe tentuam të kontaktojmë kryetarin e Gazi Babës Boris Georgievski, por nuk na dha përgjigje.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi tha se është i njoftuar me rastin dhe se po pret nga Komuna e Gazi Babës që të bëjë kërkesën për hapjen e paraleleve dhe menjëherë të merren masa.

“Ne si ministri e Arsmit dhe Shkencës po sa të na arrijë kërkesa e Komunës së Gazi Babës do t’i japim pëlqimet e nevojshme për formimin e paraleleve edhe për ato klasë në të cilët zhvillohet mësimi lëndor. Më sa e di unë deri në ditën e premte janë bërë analiza dhe grumbullim i të dhënave se sa fëmijë janë të interesuar për të ndjekur mësimin nga klasa e 6 deri në klasën e 9 dhe të njëjtat është dashur të deponohen deri tek kryetari i Komunë së Gazi Babës”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Ademi e dënoi sjelljen e drejtorit ndaj gazetarëve dhe tha se nuk do të tolerohet një sjellje e tillë. Përndryshe prindërit thonë se janë dhjetëra nxënës shqiptarë që kanë përfunduar klasën e pestë dhe tani nuk janë regjistruar në klasën e gjashtë meqenëse kërkojnë që mësimin ta zhvillojnë në gjuhën e tyre amtare. Sipas informacioneve të banorëve, fshati Jurumleri dhe përreth ka diku 80 nxënës shqiptarë të cilët mësojnë në këtë shkollë. Prindërit paralajmëruan protesta të reja të mërkurën./21Media