Maqedoni: Sot votuan të burgosurit

20 Prill 2019

Në Idrizovë procesi i votimit ishte i qetë

Në Idrizovë procesi i votimit ishte i qetë

1640 të burgosur sot kishin të drejtë të votojnë për zgjedhjet presidenciale në të gjitha burgjet e vendit. Ekipi i Televizionit 21 vizitoi burgun e Idrizovës për të parë nga afër se si po zhvillohet procesi i votimit. Të gjithë të burgosurit në grumbulluar në grupe prisnin radhën për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

“Shkurt mund të them se momentalisht tani në burgun e Idrizovës ne të gjithë të burgosurit dolëm me vet dëshirë  të votojmë. Tani që po votojmë është qetë në rregull dhe pa problem. Të gjithë dalim normal në grupe të votojmë dhe gjithçka është në rregull”, tha një i burgosur.

“Gjithçka ishte në rregull, votimi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe të mirë. Ky ndoshta ishte votimi  me mirë që është zhvilluar ndonjëherë”, deklaroi një tjetër i burgosur.

Edhe kryetarja e Komisionit Zgjedhor në vendvotimin 2536 tha se ka interes nga ana e të burgosurve për të votuar dhe se gjithçka po zhvillohet sipas rendit.

“Deri në orët e pasdite kemi dalje diku 51 për qind nga gjithsej 817 të burgosur  të cilët kanë të drejtë vote. Vendvotimi është hapur në kohë dhe deri tani nuk kishim ndonjë problem”, tha Sonja Stojanovska.

Në ora 20h Komisioni Shtetëror Zgjedhor do të del me njoftim në lidhje me mbarëvajtjen e procesit të votimit nëpër burgje, jashtë vendit në përfaqësitë konsullore, votimin e personave të sëmurë dhe votimin nëpër shtëpitë e pleqve.

Në Zyrën e Avokatit të Popullit të dielën,  në ditën e mbajtjes së rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve të parakohshme komunale për komunat Ohër, Dibër dhe Novo Sellë në periudhën prej pres 07:00 deri në orën 19:00, do të funksionojë linja telefonike falas  0800-54321 që të denoncohen shkeljet e të drejtës zgjedhore. Për qytetarët do të jenë të hapura shtatë zyra të Avokatit të Popullit në Shkup, Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Strumicë, Tetovë dhe Shtip, me qëllim që të ndihmojë në mbrojtjen e të drejtës zgjedhore./TV21