43 milionë euro grant për Maqedoninë e Veriut

43 milionë euro grant për Maqedoninë e Veriut

Vitin e ardhshëm për herë të parë Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të bashkëkryesojnë me Procesin e Berlinit, i cili synon zgjerimin e Bashkimit Evropian në shtetet e Ballkanit. Për Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev kjo përbën dëshmi të ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Me të vërtetë është nder i madh që për herë të parë nga fillimi i Procesit të Berlinit një shtet nga Ballkani Perëndimor, kandidat për në BE, siç është Maqedonia e Veriut, të bashkëudhëheq me Procesin e Berlinit dhe bashkë me Republikën e Bullgarisë do t’i organizojë dhe koordinojë projektet për mbështetje të politikave eurointegruese të rajonit”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Mendoj se me kolegët e Maqedonisë së Veriut do të bashkëpunojmë mirë gjatë bashkë kryesimit tonë dhe që tema e Ballkanit Perëndimor do të jetë e mjaft e vlerësuar nga kolegët tanë të BE-së por edhe kolegët tanë të Ballkanit. Dua të apeloj deri te kolegët e Ballkanit Perëndimor të japin kontributin e tyre të madh ne lidhje me luftën kundër parregullsive dhe t’i japin theks zhvillimit”, theksoi kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se tetori duhet parë me optimizëm për marrje të datës për bisedime për Maqedoninë e veriut dhe Shqipërinë.

“Do të ketë votime në Parlamentin Evropian. Presidenti i Francës tha se mekanizmat për mbrojtjen e vlerave të BE-së duhet të përmirësohen. Këtë nuk e shoh si “Jo” për zgjerimin dhe bllokimin e procesit të zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kishim dhe do të kemi kohë të mjaftueshme  që të mendojmë për ta përmirësuar bashkëpunimin tonë dhe nuk shoh këtu ndonjë kundërthënie. Qeveritë tona me takime dypalëshe do t’ia dalin t’i tejkalojnë këto vështirësi”, u shpreh Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë.

Nga Samiti i Poznanit delegacioni i Maqedonisë kthehet me 43 milionë euro të siguruara për tre projekte. 27 milionë euro si mjete shtesë për autostradën Bllacë-Shkup, 13 milionë për ndërlidhësin për furnizim me gaz natyror mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa 3 milionë për ndërtimin e kalimit të përbashkët kufitar hekurudhor në Tabanoc, që lidh Maqedoninë dhe Serbinë./TV21