Maqedonia e Veriut po ngulfatet nga ajri ndotur

Rritet numri i të sëmurëve nga mushkëritë, masat anti-ndotje askund

Pothuajse e gjithë Maqedonia mbrëmë ka thithur ajër të ndotur. Të gjitha stacionet matëse të ajrit si në Rektorat, Qendër, Lisiçe, Gostivar, Tetovë, Strumicë, Kërçovë, Koçan, kanë regjistruar ndotje enorme të ajrit, ndërsa rekordin e ka mbajtur Gazi Baba, me 948 grimca PM 10 në metër kub, përkatësisht për 9 herë më e lartë se normalja. Por nga Ministria e ambientit jetësor shtojnë se të dhënat për cilësinë e ajrit në Gazi Babë nuk kanë qenë të sakta prej mbrëmë në ora 22 e deri sot në ora 14.

A posedon Ministria e Shëndetësisë të dhëna se sa persona në vend janë të prekur nga ndotja e ajrit? Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë tha se është e vështirë të thuhet sa persona janë sëmurë pikërisht prej ndotjes së ajrit por shtoi se numri i të sëmurëve nga mushkëritë e bardha ëshët rritur dukshëm.

Filipçe shtoi se disa herë ka zhvilluar takim me ministrin për Mbrojtje të ambientit jetësor duke theksuar se po bëhet gjithçka që është e mundur që të ulet pragu i ndotjes së ajrit.

Për ajrin e ndotur ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët, nga ku thonë se njëjtë si ndotja e ajrit, kulminante ishin edhe premtimet e qeveritarëve për zgjidhje të këtij problemi.

Sipas faqes së internetit VisualAir, Shkupi sot renditet i nënti si qyteti më i ndotur në botë. Për ajrin e ndotur javë më parë në shenjë revolte para Qeverisë dhe Ministrisë së Ambientit protestuan mijëra të rinj me kërkesë të vetme për ajër të pastër. Ndonëse për herë të parë në vend, presidenti Pendarovski ndotjen enorme të ajrit e vendosi në rend dite në Këshillin për siguri ku morën pjesë organizata të cilat merren me mbrojtjen e ambientit jetësor. Këto organizata thonë se autoritetet qeveritare janë treguar jo të shkathta në përmbushjen e kërkesave konkrete për të kontribuar në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit./TV21

Back to top button