“Marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Shqipëri do të jenë në nivel krejt tjetër”

Qeveria e re e Kosovës e ka marrë me seriozitet jetësimin e marrëdhënieve ekonomike të nisura nga dy Qeveritë e kaluara të Kosovës dhe të Shqipërisë

Emërimi i zëvendëskryeministrit të Kosovës Fatmir Limaj, si përgjegjës për udhëheqjen e politikave ekonomike tregon interesimin që ka shteti i Kosovës karshi marrëdhënieve me shtetin amë.

Kështu u shpreh Limaj në një intervistë për Kp ku më tej tha se deri në fund të vitit pritet të arrihen marrëveshje konkrete të çështjes së doganave , eliminimin i procedurave burokratike dhe lëvizja e lirë e qytetarëve, e cila do të funksionalizohet për gjithë kohën jo vetëm gjatë sezonës verore.

 

“Ne vlerësojmë që një thellim i bashkëpunimit me shtetin shqiptar është shumë në interes të Republikës së Kosovës , duke i respektuar interesat e biznesit dhe ndërmarrjeve në Kosovë gjithashtu. Ne vlerësojmë se ka hapësirë dhe mundësi bashkëpunimi në shumë plane me Qeverinë shqiptare. Vlerësojmë se deri më tani krejt çka është bërë po besojmë që ka ende shumë më shumë mundësi që të thellohet ky bashkëpunim. Ngecjet që kanë mbetur në implementimin e marrëveshjeve duhet të fokusohen dhe të zgjidhen . Vet emërimi im ose , koordinimi i kësaj tregon që Qeveria e Kosovës po i kushton prioritet të veçantë marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Limaj.

Limaj ka treguar se me t’i marr përgjegjësitë menjëherë ka marrë masa duke i angazhuar dikasteret përkatëse të përgatisin marrëveshjet e reja në fusha të ndryshme.

Ai tha se plani i Qeverisë është ndryshe nga ai i mëhershmi.

“Ne me 27 nëntor ne do të kemi mbledhjen e përbashkët mes dy Qeverive tona. Ideja jonë është me shtua dhe me rritë dinamikën e bashkëpunimit . Dhe ne duam të kemi një fokus tjetër t’i listojmë gjërat . 1, 2,3 4, jo thjesht të hapen mundësitë, por një punë që fillohet të përfundohet deri në fund. Dhe mos të kemi telashe, mos t’i kthehemi edhe një herë një çështje të tillë. Besoj që deri në fund të vitit ne do t’i kemi 2-3 gjëra konkrete të bashkëpunimit të filluara më herët. Një nga ato që unë mund të them sot është që jemi thuajse gati duke i përmbyllur bisedimet në çështjen e doganave.“, tha Limaj.

Ai tha se do të mundohen që në afat sa më të shkurtër të krijohen lehtësira për shkëmbimet tregtare Kosovë- Shqipëri.

“Ne duam që të ketë deri në maksimum lehtësira të transportimit të marrëdhënieve ekonomike dhe eksportimit të mallrave Kosovë-Shqipëri , eliminimin e gjitha atyre barriera burokratike. Pengesave të cilat i shkaktojnë telashe dhe maltretime qoftë prodhuesve të Kosovës, qoftë të Shqipërisë , dhe eliminimi i këtyre pengesave do të shtonte dhe të stimulonte eksportin apo bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona. Unë besoj që deri në fund të vitit këto pengesa do të hiqen. Jemi duke e trajtuar çështjen e doganës së Kosovës , një pjesë të doganës së Kosovës që të vendoset në portin e Durrësit e kemi miratimin e plotë nga pala shqiptare në këtë çështje”, tha zëvendëskryeministri Limaj.

Ndërsa tek çështja e doganave , Limaj tha se tashmë Qeveria ka angazhuar ekspertë të doganës dhe të Ministrisë së Financave të cilët janë duke e trajtuar edhe detajet për përgatitje të infrastrukturës legale dhe fizike që doganierët nga Kosova të dislokohen në portin e Durrësit . E po ashtu pret që edhe çështja e lëvizjes së lirë të lehtësohet për të dy palët.

Ndërsa për çështja e njohjes së diplomave nga të dy anët , Limaj tha se do të zgjidhen. Pasi sipas tij tashmë dy ministrat e Kosovës , ai i Financave dhe Arsimit do të kenë kontakte të drejtpërdrejta për këto çështje me homologët e tyre atje.

Ndërsa në lidhje me interkonjeksionin, Limaj tha se nuk problemi nuk është më me Shqipërinë, por që me ndihmën e miqve ndërkombëtarë edhe kjo çështje do të zgjidhjet. Ndryshe, më 27 nëntor pritet të mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive asja e Kosovës dhe e Shqipërisë, e cila do të mbahet në qytetin e Korçës.

Back to top button