Erdogan: NATO është çmendur për shkak të blerjes së sistemit rus

Erdogan: NATO është çmendur për shkak të blerjes së sistemit rus

Presidenti i Turqisë, Rexhep  Erdogan, ka deklaruar se janë të pavend brengat në NATO për shkak të vendimit të Ankarasë përtë blerë sistemin anti-raketor rus, S400.

Erdogan qartësoi se marrëveshja është nënshkruar dhe se depozita tashmë është paguar. Duke mos përmend asnjë shtet me emër, Erdogan theksoi se aleatët në NATO janë çmendur për shkak të kësaj marrëveshje mes Ankarasë dhe Moskës.

Presidenti turk tha se vendi i tij do të vazhdoi të ndërmerr masa për të forcuar sigurinë e vendit dhe se do të mbrohet.

Mediat turke të martën raportuan se Turqia ka nënshkruar marrëveshjen me Rusinë për blerjen e sistemit të mbrojtjes anti-raketore, S400, e lajmi u konfirmua edhe nga zyrtarët në Moskë.

Bisedat për blerjen e këtij sistemi nga Ankaraja filluan menjëherë pas puçit të dështuar ushtarak në Turqi, në korrik të vitit të kaluar, ndërsa Uashingtoni zyrtar disa herë ka shprehur pakënaqësinë për shkak të kësaj marrëveshje mes Moskës dhe Ankarasë.

Ndërkohë, në Turqi ka vazhduar fushata e spastrimeve kundër personave të dyshuar për përfshirje në puç, me autoritetet turke të cilat lëshuan sot urdhër-arrest për 79 ish-punëtorëve të arsimit.

Ata akuzohen se kanë shfrytëzuar aplikacionin Baj-llok, për të cilin autoritetet turke thonë se është shfrytëzuar nga rrjeti i klerikut turk në mërgim, Fetullah Gylen, i cili akuzohet për organizim të puçit.

Që nga puçi i dështuar vitin e kaluar, në Turqi nga sektori publik dhe privat janë larguar apo janë suspenduar nga puna mbi 150 mijë njerëz, ndërsa 50 mijë të tjera janë arrestuar nën dyshimin se kanë qenë të lidhur me Gylenin./21Media