Mogherini: Nëse ndalet zgjerimi, do të pendohemi

Mogherini: Nëse ndalet zgjerimi, do të pendohemi

Shefja e diplomacisë evropiane në largim, Federica Mogherini i bëri thirrje BE-së që ta vazhdojë praninë e fortë në Ballkanin Perëndimor. Ajo është e bindur se në të kundërtën, BE-ja për disa vite do të pendohet.

“Tani është koha që të jemi të mençur dhe të kemi konsistencë  për të bërë hap drejt bashkimit të familjes sonë evropiane”, u shpreh Federica Mogherini.

Marrëveshjen e Prespës Mogerini e përmendi si shembull pozitiv për politikat në Ballkan. Ajo shtoi se ky trend duhet vazhduar dhe të përfundojë me bashkimin e Evropës.

“Duheshin 25 vjet që të zgjidhet kontesti për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por, tani kjo gjë është arritur falë guximit, lidershipit dhe përkrahjes së vazhdueshme si dhe inkurajimit nga ana e BE-së. E njëjta gjë vlen edhe për pjesën tjetër të Ballkanit. Nevojitet guxim dhe lidership ndërsa BE-ja duhet të vazhdojë të jetë e pranishme në rajon”, tha Mogherini.

Zhvillimi social dhe ekonomik është segment i rëndësishëm. Mogherini shtoi se prej kësaj do të përfitojnë jo vetëm shtetet por edhe vetë BE-ja. Në fjalimin e saj ajo rikujtoi se bëhet fjalë për vende të cilët nga aspekti gjeografik i takojnë Evropës dhe se ky është shkak i mjaftueshëm për bashkimin e tyre, raporton TV21

Gjatë hapjes së djeshme të Forumit strategjik i Bled-it, ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov zhvilloi takime me kolegun e tij nga Spanja, Zhozel Borel, i emëruar për pozitën – Përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, me kryeministrin e Sllovenisë, Marjan Sharec dhe me shefin e diplomacisë turke, Mevlut Çavushogllu. Dimitrov dhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska marrin pjesë në Forumin e 14-të strategjik të Bled-it që mbahet në Slloveni./21Media