Marrëveshja financiare Kosovë-BE, mbi 94 milionë euro

Projektligji pritet të ratifikohet në Kuvend para pushimeve të verës

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, sot në mbledhjen e Qeverisë, të cilën e kryesonte kryeministri Ramush Haradinaj, mbajti ekspoze për miratimin e projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare për IPA 2018, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian”. Projektligji u miratua dhe pritet të ratifikohet në Kuvend, para pushimeve të verës.

Programi IPA 2018, përfshin aktivitetet në përafrimin me legjislacionin e BE-së, bursat për një vit të projektit Young Cell Scheme, përkrahjen për të drejtat e njeriut, për komunitetet, për mjedisin, përkatësisht përmirësimin e cilësisë së ajrit duke intervenuar me ndërrimin e filtrave për pastrimin e ajrit në Kosovën B, përkrahjen për menaxhimin e mbeturinave të ngurta në komunat e Kosovës, për ndërmarrësinë, për punësimin dhe përkrahjen për arsimin”, theksoi Ministrja Hoxha.

Vlera e programit është 94.7 milionë euro prej të cilave 90.5 milionë euro financohen nga BE-ja dhe pjesa e mbetur si bashkëfinancim nga Kosova për disa nga aktivitetet.

Ministrja Hoxha kërkoi Ratifikimin në Kuvend të këtij projektligji para pushimeve verore, për të hyrë në fuqi marrëveshja, kështu do të fillonte zbatimi i fondeve të parapara me këtë marrëveshje, të projekteve të planifikuara.

Back to top button