Reagimet për kompromisin e emrit

Reagimet për kompromisin e emrit

Gjatë fjalimit të Federica Mogherinit në Komisionin Evropian, me ovacione u prit lajmi i arritjes së marrëveshjes midis Shkupit dhe Athinës. I heshtur nuk ka qëndruar as ndërmjetësuesi i OKB-së Matthew Nimetz, i cili për një çerek shekulli i priu çështjes së emrit.

“Dua t’i uroj dy ministrat e jashtëm, Dimitrov dhe Kotzias që treguan vizion në procesin negociues dhe nuk hoqën dorë nga përpjekjet që të gjendet zgjidhje e përbashkët për vendet e tyre”, tha Nimetz.

Reagimet kanë qenë të menjëhershme nga liderët botërorë në rrjetet sociale. Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Boris Johnson është shprehur se është fantastik lajmi i arritjes së marrëveshjes për kontestin e emrit, shkruan tv21.tv

“Për këtë është e nevojshme lidershipi dhe vullneti politik. Inkurajoj të gjithë liderët politik në të dyja vendet të pranojnë benefitet që do t’i sjellë zgjidhja e kësaj çështje shumëvjeçare”, u shpreh Johnson .

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, tha se përkrahin marrëveshjen pa përzierje nga jashtë dhe pa vendosje të kushteve të caktuara artificiale.

“Kemi thënë që do ta përkrahim zgjidhjen, që do të jetë në interes të Greqisë dhe Maqedonisë, e cila do të ketë mbështetje të gjerë nga populli. Shpresoj se marrëveshja e publikuar dje është e atillë”, tha Lavrov.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se pjesëmarrësit në konfliktet tjera do të marrin shembull nga ky zhvillim dhe do të punojnë në përforcimin e zgjidhjeve përmes bisedimeve.

Kurse, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se kjo është një marrëveshje historike.

“Tash u bëj thirrje të dyja vendeve të finalizojnë marrëveshjen e arritur sot nga të dy liderët. Kjo do të vendosë Shkupin në rrugën e tij drejt anëtarësimit në NATO dhe do të ndihmojë për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Nga Departamenti Amerikan i Shtetit kumtojnë se zgjidhja do të jetë në favor të të dyja vendeve dhe do të forcojë sigurinë rajonale dhe përparimin. Nga SHBA thanë se kryeministrat Zaev dhe Tsipras treguan vizion, guxim dhe përpjekje vendosmërie për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme.