Marshohet për të Drejtat e Njeriut

Kërkohet nga institucionet e vendit të angazhohen më shumë në respektimin e të Drejtave të Njeriut

Me moton “Çohu për të Drejtat e Njeriut”, qytetarë nga organizata joqeveritare dhe institucione kanë marshuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari u shpreh se ky është viti i dytë që organizojnë marshe të tilla, për qëllim të respektimit të të Drejtave të Njeriut.

“Është viti i dytë që Institucioni i Avokatit të Popullit bashkë më të gjitha organizatat joqeveritare në Kosovë, tentojnë me shënu Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut që përkon me 70- vjetorin e zbatimit të deklaratës universale për të drejtat e njeriut si dokumenti kryesor kyç për të drejtat e njeriut. Sot nga ora 10:00 patëm një manifestim në Teatrin e Kosovës, në të cilën shumica e organizatave joqeveritare, përkatësisht njerëzit në nevojë patën prezantim të drejtpërdrejtë për të përçu mesazhin më real të mundshëm mbi gjendjen.. nga të gjithë grupet e cenueshme, për të përfunduar dhe për të përmbyllur këtë aktivitet me këtë marsh”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga institucionet e vendit që të angazhohen më shumë në respektimin e të Drejtave të Njeriut, e po ashtu edhe të dispozitave ligjore.

E drejtoresha e Qendrës për Barazi Gjinore, Luljeta Demolli është shprehur se Kosova lë shumë për të dëshiruar në aspektin e të Drejtave të Njeriut, ku shumë grupe sipas saj vazhdojnë të jenë të diskriminuara.

“Jemi bashkangjit me mesazhin e Avokatit të Popullit për të dhënë një mesazh që të punojmë drejt asaj për të eliminuar diskriminimin tek të gjitha grupet që janë, më të cenueshme dhe më të margjinalizuara në Kosovë. Jemi disa organizata që jemi bashkëngjit në këtë organizim, shpresojmë që viti tjetër do të gjej Kosovën me një respektim më të madh të të Drejtave të Njeriut, sepse siç e dini të gjithë kjo po mungon në Kosovë, respekti për të drejtat e njeriut”, ka përfunduar Demolli.

Pjesë e këtij marshi ishin edhe dhjetëra qytetarë të cilët marshuan nga sheshi “Skënderbeu” drejt sheshit “Zahir Pajaziti”.

Kujtojmë se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 10 Dhjetor të vitit 1948 është mbledhur në Paris, ku ka miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Back to top button