"Çdo vendim kundrejt tarifës doganore duhet të merret në koordinim me shtetet mike të Kosovës"

“Çdo vendim kundrejt tarifës doganore duhet të merret në koordinim me shtetet mike të Kosovës”

Zëvendësimi i taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake me masë të reciprocitetit nga njohësit e çështjeve ekonomike po shihet si veprim më i arsyeshëm karshi politikave agresive të Serbisë, ndërsa shoqëria civile po kërkon që qeveria në ardhje të ketë kujdes me veprimet karshi taksës.

Ishte zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, njëherësh përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, i cili para dy dite tha se taksa është bërë një pengesë.

“Pritjet e mia për Kurtin duke supozuar që do të bëhet kryeministër është se do të jetë partner i mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se do të punojë ngushtë me neve në kërkim të objektivave dhe qëllimeve tona të përbashkëta. Se ai do ta kuptoj se dialogu me Serbinë është i rëndësishëm jo vetëm Kosovën, por edhe për ShBA-të, dhe ta integrojë atë në të menduarit e vetë dhe do të gjej mënyrën për t’u kthyer në tavolinën e negociatave përfshirë edhe për çështjen e adresimit të taksës, e cila është bërë një pengesë”, tha ai.

Ndërkohë, sipas shoqërisë civile çdo vendim kundrejt tarifës doganore duhet të merret në koordinim me shtetet mike të Kosovës.

Qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës e cila në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit pritet të udhëhiqet nga Lëvizje Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si duket ka në plan që tarifën 100 përqind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, ta zëvendësojë me masën e reciprocitetit.

Sipas anëtares së kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për kalimin e taksës në reciprocitet karshi mallrave serbe dhe boshnjake ka pajtueshmëri në mes dy subjektet  LVV-në dhe LDK-në.

Sipas saj, ndaj shtetit serb me qeverinë Kurti do të ketë reciprocitet në të gjitha fushat, çoftë në aspektin ekonomik, politik e tregtar.

“E kemi parë si masë të duhur që është e njohur edhe ndërkombëtarisht reciprocitetin në këtë rast reciprocitetin politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Prandaj, qeverisja e ardhshme në masën apo vendimin për tarifën do e zëvendësojmë me reciprocitet të plotë. Këtë e kemi diskutuar edhe në takimin e fundit që kishim me përfaqësuesit e LDK  qëndrimet përputhen  për shkak se  edhe ata e kanë pasur si premtim gjatë fushatës zgjedhore reciprocitetin, po besoj është një avancim në këtë kuptim sepse edhe Lëvizja Vetëvendosje do të angazhohet për reciprocitet”, tha Haxhiu.

Këtë plan të qeverisë së ardhshme po e përkrah ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili vendosjen e taksës nga qeveria Haradinaj e konsideron si dëmin më të madh që i është bërë Kosovës, prandaj ai pret nga qeveria e re që të jetë e matur karshi kësaj çështje.

Gërxhaliu kërkon nga qeveria e re që çdo veprim që e ndërmerr karshi tarifës 100, të bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtar.

Derisa thekson se vendosja e tarifës nuk ka sjellë efekte pozitive për ekonominë kosovare, njohësi i çështjeve ekonomike beson se masat e reciprocitet janë zgjidhja më e mirë në raport me Serbinë.

“Duhet që të kemi një dialog interno, të bisedohet me miqtë ndërkombëtar dhe të gjejmë një alternativë të përbashkët sepse besoj se duhet të kërkohet edhe mbështetja e faktorit ndërkombëtar se në fund të fundit duhet të kuptohet se Kosova është produkt i faktorit ndërkombëtar, dhe në fund të fundit të bihen vendime të tilla do thotë në mënyrë ad-hock nuk i bëhet nder Kosovës. Besoj në Qeverinë e ardhshme se dialogu do ta ketë forcën më të fuqishme, besoj se do gjendet një modalitet për t’u pezulluar taksën, t’i jepet frymë do thotë dialogut dhe alternativave dalëse nga një situatë e tillë dhe e fundit që mund të jetë çoftë nga ekspert çoftë nga miqtë ndërkombëtar duhet të jetë një reciprocitet por me mbikëqyrje dhe me monitorim të faktorit ndërkombëtar duke i mbështetur vendimet e qeverisë së re”, u shpreh Gërxhaliu.

Pro heqjes së taksës dhe vendosjes së masave të reciprocitet me shtetin serb është shprehur edhe njohësit tjetër i  çështjeve ekonomia, Mustafë Kadriaj, i cili tha se taksa në aspektin politik ishte e mirë por vazhdimi i taksës në pakufi  solli acarim të raporteve në mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Sipas tij, opsioni më i favorshëm karshi Serbi është heqja e tarifës 100 përqind.

“Mendoj se edhe me rekomandime të Bashkimit Evropian, bashkësisë ndërkombëtare po ashtu organizatave botërore të tregtisë masat e reciprocitet gjithmonë janë aktuale sepse në momentin që njëri shtet masa të një anshme automatikisht edhe shteti tjetër tenton që ta mbroj ekonominë vendore apo prodhimin vendor. Në këtë drejtim mendoj që Kosova e ka të obliguar masat e reciprocitetit sepse edhe ne duhet të jetojmë dhe në kuadër të CEFTA-së si shtet funksional…Taksa gjithsesi duhet të hiqet dhe me masa të reciprocitet duke e ruajtur partneritetin ndërkombëtar, sidomos me SHBA-të“, theksoi Kadrijaj.

Nga shoqëria civile kërkohet maturi më e madhe karshi tarifës doganore, pasi si pasojë e vendosjes së saj u bllokua edhe dialogu me Serbinë.

Jeta Krasniqi nga KDI thotë për KosovaPress, se qeveria e ardhshme e Kosovës  duhet të ketë mesazhe të qarta ndaj Serbisë, por edhe ndaj faktorit ndërkombëtar që presionin ta kthej kah Serbia.

Krasniqi këshilloi udhëheqësin e ardhshme të ndërmerr masat afatgjate përmes të cilave do forcohet shtetit i Kosovës.

“Qeveria e ardhshme duhet të shoh se si ta adresoj këtë çështje patjetër duke pasur edhe kumtesa të qarta edhe ndaj faktorit ndërkombëtar që presioni të shkoj mbi Serbinë dhe Serbia të ndryshoj sjelljen e saj pasi që taksa erdhi si reagim i sjelljeve jo konstruktive kundrejt Kosovës. Kur flasim për tërheqjen e taksës patjetër që besojmë që Serbia do bëjë në këtë drejtim, dhe besoj që qeveria e ardhshme duhet të shoh se si ta adresoj çështjen e taksën dhe marrëdhëniet me Serbinë… Kosova duhet të përpiqet që në këtë proces të dialogut dhe masat që ndërmerr të jenë masa afatgjate dhe të jenë masa që mendojnë me plane dhe vizion afatgjatë , pra mos të jenë masa ad-hock të cilat e kanë hapin e dytë apo të tretë apo në vazhdim me anë të cilave ne forcohemi si shteti”, tha ajo.

Tarifa 100 përqind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina u vendos më 21 nëntor të vitit 2018 nga qeveria në largim. Ky veprim erdhi si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

E karshi këtij veprimi u ngjallën reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të cilët kanë kërkuar dhe po vazhdojnë të kërkojnë pezullimin apo edhe shfuqizimin e kësaj takse, pasi ajo u konsiderua si shkaktar që Serbia u tërhoq nga tavolina e bisedimeve me Kosovën.

Kujtojmë që masë reciprociteti, Qeveria e Kosovës kishte zbatuar ndaj Serbisë në muajin korrik të vitit 2011,  masë kjo e cila ishte zbatuar vetëm për 50 ditë dhe më pas ishte shfuqizuar.