Është shtuar siguria në hapësirat e Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz

Është shtuar siguria në hapësirat e Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është parë në afërsi të Burgut të Sigurisë së Lartë në fshatin Dyz.

Lajmin për shtimin e sigurisë e ka konfirmuar drejtori i burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi.

Ai tha se kohë pas kohe ka rritje të sigurisë.

“Jo respektivisht nuk ka diçka, por edhe sipas rregulloreve të policisë, në disa raste shtohet siguria nga ana e policisë në burgun e Dyz-it”, tha Thaçi për kallxo.com.

Ndërsa zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ka thënë se policia sipas autorizimeve merr veprime ligjore në të gjitha territoret e Kosovës.

“Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore, si dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike ndërmerr veprime të saja ligjore në të gjithë territorin e vendit duke përfshirë edhe lokacionin në fjalë (Burgun e Sigurisë së lartë)”, tha Hoxha./kallxo.com