Nuk kanë asnjë informacion zyrtar

Nuk kanë asnjë informacion zyrtar

​Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) thotë se e ka pranuar me shqetësim lajmin se Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), e cila ka konstatuar që Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk i përmbushë rregullat evropiane për të qenë pjesë e Asociacionit dhe si e tillë nuk mund të jetë pjesë e ENQA-s.

Megjithatë, MAShT thotë se për këtë lajm është njoftuar nga mediat dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar.

“Sot ministria ka kërkuar informacion zyrtarisht nga Agjencia Kosovare e Akreditimit mbi raportin e ri të krijuar mes Agjencisë dhe ENQA-s, e po ashtu edhe për të gjeturat në raportin e Asociacionit, mbi bazën e të cilit është marrë ky vendim”, përfundon deklarata nga MASHT.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova e cila tha se kjo ka ndodhur për shkak të politikës dhe se Qeveria e re nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës në fushën e arsimit.

Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Ky vendim u mor në mbledhjen e ENQA-s më 19 shtator./21Media