MAShTI kërkon nga shkollat masa të shtuara rreth koronavirusit

Ora e parë e mësimit t’i kushtohet rritjes së vetëdijësimit të nxënësve

Në bazë të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShP), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), kanë shpërndarë nëpër shkolla materiale vetëdijësuese rreth koronavirusit.

MAShTI, po ashtu, përmes Drejtorive Komunale të Arsimit, ka kërkuar që në të gjitha shkollat në Kosovë ora e parë e mësimit të ndërrimit të pasdites sot (25.02.2020) dhe ora e parë e ndërrimit të paradites nesër (26.02.2020), t’i kushtohet rritjes së vetëdijësimit të nxënësve lidhur me masat parandaluese duke u bazuar në materialet dhe udhëzimet e pranuara nga Instituti Kombëtar për Shëndet Publik, të cilat janë shpërndarë nëpër shkolla.

Sipas një komunikate, MAShTI i ka udhëzuar DKA-të që t’i pajis shkollat me material higjienik dhe të gjitha institucionet shkollore të bëjnë dezinfektimin e shtuar të të gjitha sipërfaqeve dhe nyjave sanitare.

Koronavirusi, i identifikuar si Covid-19, besohet se e ka origjinën në provincën Hubei të Kinës. Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar. Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje./21Media

Back to top button