Matoshi i shqetësuar për dështimin e ndërtimit të deponisë në Harilaq

Inspektorati i komunës së Fushë Kosovës, ka ndërprerë punët e kompanisë që bënte hulumtimet

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me dështimin e realizimit të projektit për ndërtimin e objekteve për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Harilaq të Fushë- Kosovës, si rezultat i refuzimit të komunës për dhënien e parcelës.

Ministria ka bërë të ditur se nga zyra e Komisionit Evropian në Kosovë për këtë projekt kishin filluar aktivitetet, ku ishte kontraktuar Kompania ,,GEOKOS”, për të bërë hulumtimet gjeoteknike të lokacionit, por derisa zhvilloheshin shpimet gjatë hulumtimit, Inspektorati i komunës së Fushë Kosovës, ka ndërprerë punët e kompanisë që bënte hulumtimet.

“MMPH menjeherë ka kontaktuar Kryetarin e komunës së Fushë Kosovës, të cilit i është sqaruar qëllimi dhe rëndësia e projektit, dhe i është thënë se pas shqyrtimit gjeoteknik do të pasojë edhe blerësimi i ndikimit në mjedis për projektin. Personat kompetent nga MMPH ishin pjesëmarrës në asamblenë komunale të Fushë Kosovës, me qëllim për të i’u sqaruar rëndësinë e projektit”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Tutje, ministria duke treguar se si ka shkuar procesi i këtij projekti ka bërë të ditur se asambleja komunale kishte marrë vendim që mos të zbatohet vendimi i Qeverisë për shfrytzimin e lokacionit.

“Ky vendim ende nuk është dërguar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, gjithashtu, këtë vendim edhe MMPH nuk e posedon. Ndërkohë, gjatë takimeve, me propozimin e kryetarit të komunës, zyrtar të MMPH-së dhe përfaqësues të Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, kanë vizituar edhe ca vende në afërsi të lokacionit aktual, megjithatë është konstatuar se lokacioni i përzgjedhur dhe i lejuar me vendim nga Qeveria e Kosovës është njëri ndër lokacionet më të përshtatshme që do të plotësonte kushtet në tërësi”, ka sqaruar ministria.

Ministria po ashtu ka bërë të ditur se me 21 tetor të vitit të kaluar ka lëshuar autorizimin mjedisor për vazhdimin e punëve nga kompania “Geokos” në Prishtinë, në hulumtimet gjeoteknike të lokacionit, dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e aktiviteteve të tjera për projektin.

“Më 7 mars 2019 në udhëheqjen e Matoshit dhe përfaqësuesve nga Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë, si dhe kryetarit të komunës së Fushë Kosovës është mbajtur takim ku është diskutuar lidhur me lokacionin e përcaktuar për ndërtimin e objekteve për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Kosovë. Takimi në asamblenë e Komunës se Fushë Kosovës ështe mbajtur me 10 prill 2019, ku është prezantuar projekti si dhe efektet e mundshme në shëndetin e qytetarë”, ka njoftuar ministria.

Back to top button