Sipas Matoshit, deklarata e Mustafës është manipulim i publikut

Sipas Matoshit, deklarata e Mustafës është manipulim i publikut

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Halil Matoshi ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, i cili duke komentuar raportin e Bankës Botërore ka thënë që është lajm i keq për Kosovën që në vitin 2018 janë humbur 17 mijë vende të reja të punës.

Matoshi tha që deklarata e Isa Mustafës për humbjen e 17 mijë vendeve të reja të punës është manipulim i publikut, sepse kjo sipas tij nuk buron nga Anketa e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, e cila është publikuar sot.

Pretendimi i liderit të LDK-së Isa Mustafa se gjatë vitit 2018 janë humbur 17 mijë vende të reja pune është manipulim i publikut sepse kjo nuk buron nga Anketa e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, e cila është publikuar sot. Duke e vlerësuar deklaratën e liderit të LDK-së Mustafa se është lajm i mirë që Kosova vazhdon të kryesojë në rajon për rritjen ekonomike, duhet theksuar se lajmi i mirë për rritjen ekonomike nuk po i përputhet me lajmet – sipas tij të këqija – që kinse në dy vitet e fundit, po rritet shkalla e papunësisë dhe po zvogëlohen investimet e huaja direkte!???”, ka thënë ai në një shkrim të publikuar në rrjetin social, Facebook.

Matoshi ka ngritur dyshimin se si është e mundur që të konstatohet nga Banka Botërore rritja ekonomike në Kosovë më e madhja në rajon dhe njëherit po sipas raportit në fjalë paska ndodhur zvogëlim i vendeve të reja të punës dhe rënie të investimeve të huaja direkte.

Ai më tej ka cituar rezultatet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, duke krahasuar shkallën e papunësisë së Qeverisë Mustafa dhe asaj Haradinaj, ka thënë që ka ulje të shkallës së papunësisë prej rreth 1%.

Gjatë ditës së sotme, lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë që në dy vitet e fundit është duke u rritur shkalla e papunësisë dhe po zvogëlohen investimet e huaja direkte dhe për këtë ka fajsuar qeverinë.

Ndryshe Drejtori i Bankës Botërore në Prishtinë, Marco Mantovanelli, ka deklaruar sot se ka rritje ekonomike pozitive në Kosovë me 4.2%, ndërsa gjendja do të vazhdojë me të jetë me qëndrueshmëri stabile.

Megjithatë sipas raportit të BB-së, mbi 17 mijë vende të punës kanë humbur në vitin 2018, ndërsa shkalla e papunësisë është rritur gjatë vitit të kaluar./21Media