Matoshi zbulon se çka i ka shkruar Daçiq në letrën kthyese Haradinajt

Sipas Matoshit, Daçiqi ka vënë në pah protagonizmin e tij prej një nacionalisti folklorik serb

Kryeminstri i Kosovës, Ramush Haradinaj dje u ka dërguar gjithë kryeministrave të botës letër shpjeguese, përmes të cilës ka sqaruar natyrën e dialogut Kosovës-Serbi.

Sipas këshilltarit të tij, Halil Matoshit kësaj letre i është përgjigjur ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Matoshi përmes një postimi në Facebook, duke iu referuar letrës, është shprehur se Daçiq në letrën e tij ka vënë në pah protagonizmin e tij prej një nacionalisti folklorik serb. Madje atë e ka quajtur edhe Pasardhësi i “Kasapit të Ballkanit”.

“Burri që ka dalë nga lëvozhga ku është ngjizur fashizmi i Milośsević-it, Ivica Dacić, letrës së Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, (dërguar homologëve të tij botëror) i është përgjigjur duke vënë në pah protagonizmin e tij prej një nacionalisti folklorik serb si dhe duke shfaqur armiqësinë dhe urrejtjen e tij të thellë patologjike kundër shqiptarëve dhe Kosovës”, ka shkruar Matoshi.

Ai ndër të tjera ka treguar se Daçiq përmes letrës së shkruar ka pyetur pse Kosova nuk po bëhet anëtare në Kombet e Bashkuara si dhe pse 13 shtete e kanë tërhequr njohjet. Për këtë pyetje Matoshi ka shkuar se kundërpërgjigjia më e mirë do të ishte me pyetjen: “Përse u godit Serbia e drejtuar nga ish shefi i tij nga demokracistë e avancuara me ‘Tomahaëk” me 1999?”.

Në fund të këtij shkrimi, Matoshi ka shkruar se Daçiqi duhet ta ketë të qartë se Kosova kurrë me asgjë nuk do ta cënojë miqësinë e përhershme me ShBA-në.

Në letrën e dërguar kryeministrave të botës, Haradinaj ka shkruar se dialogu është mes dy shteteve sovrane, i cili për subjekt nuk e ka statusin final të Kosovës, por normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, me njohje reciproke./21Media 

Back to top button