Trajneri i mirënjohur gjerman, Matthias Zollner do të jetë kryetrajner i skuadrës për edicionin e ri 2018/19

Trajneri i mirënjohur gjerman, Matthias Zollner do të jetë kryetrajner i skuadrës për edicionin e ri 2018/19

Në vazhdën e përgatitjeve për stinorin e ri, Prishtina po bëhet gati që edhe këtë vit të përfaqësojë shqiptarët në Evropë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Andaj, klubi ynë ka angazhuar një trajner të ri në moshë, por me shumë përvojë e madje shumë i suksesshëm. Gjermani 37 vjeçar më herët ka drejtuar disa skuadra.

Fillimisht udhëhoqi ekipin e vendlindjes së tij, TSV Dachau për pesë vite, ku pastaj u zgjodh në krye të ekipit të famshëm gjerman, Munich Basket.

Pas sukseseve te skuadra bavareze Zollner emërohet ndihmës trajner i Gjermanisë. Përvoja që morri në kombëtaren gjermane u vë në pah me skuadrën austriake, UBC Güssing Knights.

Pavarësisht që konsiderohej ekip që do të luftonte për ekzistence Zollner bëri mrekullinë duke arritur të shpallte Knights kampionë të Bundesligës austriake, njëkohësisht duke fituar edhe çmimin si ‘Trajneri i Vitit’.

Vetëm një vit më vonë përsëriti suksesin e njëjtë, duke u bërë trajneri i vetëm që fiton ligën dy herë rradhazi. Në këtë edicion ai shkroi historinë në basketbollin austriak duke u kualifikuar në TOP 16 të Eurochallenge.

Së fundmi Matthias Zollner ishte trajner i Kombëtares së Austrisë në kualifikimet për Kampionatin Botëror.