“Hoxha nuk ka fare njohuri për liberalizimin e vizave”

“Hoxha nuk ka fare njohuri për liberalizimin e vizave”

Ministrja Dhurata Hoxha duket se nuk ka fare njohuri për mënyrën se si merret vendimi për liberalizimin e vizave. Ajo, ish ministri i Jashtëm dhe ministri i Jashtëm aktual, nuk e kanë argumentua asnjëherë qartë se pse Bashkimi Evropian e ka vendosur çështjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi si kriter për liberalizimin e vizave, Avni Mazreku, profesor universitar dhe njohës i çështjeve të integrimeve evropiane këto komente i bëri në emisionin “Click” të RTV21.

Ai tha se askush nga BE-ja nuk garanton se pas ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi, do të bëhet liberalizimi.

“As ministrja Hoxha, as kryeministri e as presidenti i shtetit i cili aktualisht duket shumë aktiv edhe intensiv në çështjen e demarkacionit mund të garantojë se as Merkel as komisionari Hahn, as krye komisionari Junker mund të garantojnë që Kosovës t’i liberalizohen vizat pas ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi”, tha Mazreku, shkruan rtv21.tv

Sipas tij, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave, pa i përfunduar proceset e  demarkimit të kufirit.

Mazreku tha se një argument tjetër mjaft i rëndësishëm në këtë proces është se Kosova e ka të pambyllur dhe të pahapur ende procesin e demarkimit të kufirit me Serbinë./21Media