Mbështeten programet që përmirësojnë jetën e qytetarëve

Kuçi tha se procesi më i rëndësishëm i shtetndërtimit në një vend paraqet investimin në edukim

Zëvendëskryeministri i parë i Republikë së Kosovës, Hajredin Kuçi, mori pjesë në prezantimin e projektit të ri të USAID-it, Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (TEAM) në Kosovë.

Para të pranishmëve, ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ministrave, kryetarëve të Komunave dhe përfaqësueseve të tjerë të institucioneve, zëvendëskryeministri Kuçi falënderoi Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe USAID-in për mbështetjen e vazhdueshme për ndërtimin e një shoqërie demokratike në Kosovë.

“Ky është një realitet faktik i pakontestueshëm, për të cilin mendoj se qytetarët dhe institucionet e Kosovës janë jashtëzakonisht falënderuese, që Kosova vazhdon të mbetët një prioritet për Qeverinë e SHBA-ve, partneriteti dhe mbështetja e të cilës është dëshmuar vazhdimisht në forma të ndryshme. Gjatë këtyre viteve, në institucionet publike, kam vërejtur se si ka lëvizur qasja dhe asistenca e Qeverisë Amerikane, nga çështjet më madhore të shtetbërjes të fokusuara kryesisht në institucionet publike dhe shtetndërtim, në programet që kanë për qëllim shërbimet dhe përmirësimin e jetës për qytetarët”, tha Kuçi.

Ai theksoi se procesi më i rëndësishëm i shtetndërtimit në një vend paraqet investimin në edukim dhe gjeneratat e reja, zhvillim ekonomik dhe shërbimet më efikase për qytetarët, tërë kjo me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve dhe ofrimit të kushteve më të mira për jetesë.

Më tej, Kuçi tha se në Kosovë, si në shoqëri ashtu edhe në institucione ende nuk ka një koncept plotësisht të qartë të “Llogaridhënies” ndaj taksapaguesve, qoftë kjo përmes formave direket apo indirekte dhe për detyrimin e përmirësimit të jetës së qytetarëve.

“E them këtë, për të potencuar faktin se, të gjithë zyrtarët qoftë në nivel lokal si kryetarët e komunave, dhe në nivel qendror, por edhe i gjithë stafi në institucionet publike, në momentin e marrjes së pozitës së caktuar nënshkruajnë një kontratë shoqërore me qytetarët, përkatësisht taksapaguesit dhe përgjegjësinë kryesore duhet ta kenë ndaj tyre. Në terme më konkrete kur bisedojmë për llogaridhënien, padyshim se si dy komponentë integrale na paraqitet edhe transparenca dhe efikasiteti. Andaj konsideroj se fillimi i këtij programi, i udhëhequr nga kompania DAI, që ka për qëllim përmirësimin mu në këto fusha në nivel lokal është mëse i mirëpritur”, shtoi ai.

Më tej, ai përmendi dy çështje që ndërlidhen me transparencën, efikasitetin dhe llogaridhënien në Komunat e Kosovës.

“Dëshiroj të theksoj se ky është proces i dyanshëm. Në mënyrë që komuna të jetë transparente duhet të ketë ndaj kujt,  duhet të kërkohet më shumë transparenca dhe llogaridhënia nga institucionet dhe për shërbimet. Qytetaria aktive është kontribuues i madh në ngritjen e transparencës, në mënyrë direket nga qytetarët apo në mënyrë indirekte nga organizatat joqeveritare. Në anën tjetër, komunat janë të obliguara të sigurojnë qasje transparente në të gjitha shërbimet që kryhen përbrenda komunës, veçanërisht në çështjet që ndërlidhen me prokurim publik dhe shërbimet ndaj qytetarëve”, tha Kuçi,

Sipas tij, komunat mund të marrin edhe një rol më proaktiv në krijimin e kushteve për rritjen e transparencës, jo vetëm me hapjen e dyerve për qytetarët dhe organizatat joqeveritare, por edhe duke i ftuar ata që të jenë aktiv në monitorimin e proceseve vendimmarrëse në komuna, duke u siguruar që fondet e caktuara të përdoren në shërbim të qytetarit.

Duke uruar për zbatimin e programit, zëvendëskryeministri Kuçi shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për programe të tilla që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve si shtyllë e shtetit./21Media

Back to top button