Mbështetja 20 vjeçare për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm

Gjermania është ndër vendet që ka ndihmuar Kosovën që nga përfundimi i luftës

Rreth 18 mijë e 500 shtetas të Kosovës gjatë vitit 2015 janë riatdhesuar në shtetet perëndimore. Papunësia e madhe në vend dhe moszhvillimi ekonomik ishin arsyet kryesore pse edhe ndodhi eksodi gjatë asaj periudhe i paparë ndonjëherë. E stacioni i autobusëve në Prishtinë ishte vendi më i frekuentuar në atë kohë. Por, shumë persona që ia mësynë rrugës, u kthyen të zhgënjyer në Kosovë, pasi atyre nuk ua pranuan kërkesat për azil.

Në mesin e tyre është edhe Sadije Bekteshi nga Obiliqi. Ajo për kp, rrëfen për kohën kur kishte marrë vendim që së bashku me vajzën dhe bashkëshortin e saj të nisen pë në Gjermani.

“Unë kam shkuar në vitin 2015, do të thotë ka qenë muaji shkurt, kështu që ne e morrëm rrugën e migrimit për në Gjermani për të gjetur një jetesë më të mirë, si çdo qytetarë i Kosovës. Pasi kemi mbërritur atje kemi qëndruar gjashtë muaj, por nuk e kemi parë shumë të arsyeshme, të jesh azilantë në një vend që nuk të takonte as azili, kështu që unë morra vendimin dhe u kthyem për në Kosovë”, thotë ajo.

Pas kthimit në Kosovë, ajo thotë se ka vazhduar të mbajë trajnime për rrobaqepësi, zanat ky me të cilin ishte marrë edhe më herët. Pas më pak se një viti nga koha që u kthye në Kosovë, ajo ishte përfituese e një granti në vlerë tre mijë euro nga GIZ-i Gjerman, të cilët e mbështetën edhe për hapjen e një biznesi të vogël.

“Deshti fati që të jem përfitues të tri granteve. Granti i parë është nga GIZ-i Gjerman, nga MPB i cili na përkrahi si person i riatdhesuar. Kurse pas një trajnimi tjetër, unë jam prapë përfituese e një granti nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe aty vlera e mjeteve ka qenë nëntë mijë euro. Pasi i kemi marrë ato mjete ne e kemi hapur biznesin tonë këtu në komunën e Obiliqit”, shton ajo.

Sadija përveç që tashmë ka biznes të saj, ajo ka të punësuar dy punëtorë, e tre të tjerë edhe mësojnë zanatin nga ajo. Thotë se është kënaqësi që si biznes i vogël, po u hap mundësi të rinjve në Obiliq për punësim.

Rahim Trepça, këshilltar në projektin Dimak në GIZ-in Gjerman, thotë se Sadija nuk është i vetmi rast që ka përfituar nga GIZ-i Gjerman.

“Sadije është vetëm një rast që GIZ-i e ka përkrahur shumë në ide të ndryshme, për biznese të ndryshme, në sektor të ndryshëm. Sa i përket aftësimit profesional, ne si projekt Dimak, së bashku me Ministrinë e Punës dhe Agjencionit e Punësimit, kemi një projekt tjetër që quhet “Nisma për Aftësim Profesional”, ku disa të ridërgohen në Gjermani për shkollim profesional për dy deri në tri vjet, dhe qëllimi i këtij projekti është që të kthyerit në Kosovë, të sjellin njohuritë që i kanë fituar në vendin ku kanë qëndruar, shërbim i përvojave që i ka mësuar në Gjermani”, thotë ai.

Në Prizrenin e bukur, tash e sa kohë është hapur edhe Zyra e Informacionit për Turizëm, zyre kjo që operon si një partneritet publiko-privat ndërmjet komunës së Prizrenit dhe agjencisë private “Sharri Eco Tour”.

Në dy dekada bashkëpunim, partnerët gjermanë janë përkujdesur edhe për turizëm në Kosovë. Ata kanë ndihmuar në hapjen e kësaj zyre.

Burrë e grua, si pronarë të kësaj zyre tyristike, tashmë promovojnë bukuritë e qytetit historik, duke ofruar shëtitje në distanca të gjata dhe shëtitje me bicikletë malore, përgjatë kufirit të përbashkët ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

“Ne si zyre informative ofrojmë pako të ndryshme dhe mundohemi që turisti t’i kalojë çastet më të mira në Prizren dhe në Kosovë. Me një fjalë promovojmë Prizrenin së bashku me Kosovën. Në vitin 2016, më është dhënë rasti të jem përfituese e grantit ‘Gruaja në Biznes’ nga Qeveria gjermane përmes GIZ-it, ku kam përfituar pajisje për turizëm”, thotë Flaka Bytyqi nga Zyra e Informacionit për Turizëm.

Sipas saj, më të interesuarit janë ndërkombëtarët, derisa tregon se që nga hapja e kësaj zyre, ka pasur shtim të numrit të turistëve në Prizren.

“Me hapjen e zyrës ka më shumë interesim të turistëve. Ka më shumë ndërkombëtarë, por kur është sezoni i diasporës, ka një numër të madh edhe prej tyre”, shton ajo.

Në 20 vjetorin e bashkëpunimit kosovaro-gjerman, Ambasada Gjermane në Prishtinë, Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) dhe Kreditanstalt fur Wiederaufbau (KfW), kanë vendosur që t’i nxjerrin në pah disa nga projektet më efektive të realizuara në shtetin 11 vjeçar.

Sekretarja e parë Anja Becky, tregon se cilat janë fushat në të cilat fokusohen, për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

“Jemi aktivë në tri fusha bashkëpunimi. Njëra ka të bëjë me energjinë. Jemi duke punuar me efikasitetin e energjisë, si dhe energjinë e ripërtëritshme. Sektori tjetër në të cilin punojmë është zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm duke ofruar perspektiva përmes hapjes së vendeve të reja të punës për të mundësuar punësimin e rinisë, si dhe fuqizimin e sektorit financiar. Fusha e tretë në të cilën bashkëpunojmë ka të bëjë me qeverisjen e mirë, ku po bëjmë projekte në lidhje me transparencën financiare, proceset integruese për në BE, si dhe menaxhimin e mbeturinave”, thotë ajo.

Sipas saj, Kosova është e gatshme që të bashkëpunojë dhe të jetë e përkushtuar për të bashkëfinancuar për të kontribuuar përmes burimeve që janë në dispozicion. Ndryshe, Gjermania është ndër vendet që ka ndihmuar më së shumti në rimëkëmbjen e shoqërisë kosovare që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Back to top button