Akuzohen për tri vepra penale

Akuzohen për tri vepra penale

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për 60 ditë ndaj 28 të arrestuarve para tre muajsh në veri të Kosovës, në mesin e të cilëve janë 19 zyrtarë policorë.

Burime të KosovaPress-it brenda kësaj gjykate kanë bërë të ditur se vendimin për vazhdimin e paraburgimit, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka bazuar në mundësinë e rrezikut nga ikja dhe pengimin e hetimeve duke ndikuar në dëshmitarë nga ana e të pandehurve, si dhe për shkak të peshës dhe rëndësisë së veprave penale.

Të arrestuarit dyshohen për veprën penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, si dhe “marrja e ryshfetit”.

Marrjen zyrtarisht të këtij aktvendimi e ka konfirmuar për kp, mbrojtësi i njërit prej të dyshuarve në këtë rast, avokati Musa Damati.

Ai paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit duke besuar se kjo Gjykatë do të marrë në konsideratë të gjitha theksimet në ankesë dhe këtë çështje do ta zgjidhë në mënyrë më të drejtë.

Ndryshe, më 28 maj të këtij viti, njësitet speciale të policisë zhvilluan një aksion të gjerë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, me ç’rast arrestuan dhjetëra persona, përfshirë edhe dy punonjës të UNMIK-ut, njëri prej të cilëve ishte shtetas rus, ndërsa gjatë këtij aksioni policor pati tensione dhe të plagosur./kp