Interesimi më i madh ka qenë për Fakultetin e Edukimit dhe atë të Juridikut

Interesimi më i madh ka qenë për Fakultetin e Edukimit dhe atë të Juridikut

Universiteti i Mitrovicës njofton se për 1005 vende në Universitetin “Isa Boletini”, sipas konkursit të shpallur për pranimin e studentëve në vitin akademik 2017/18, kanë aplikuar 1335 kandidatë.  ”Në kuadër të numrit të përgjithshëm, 871 kandidatë është planifikuar  të pranohen nga Kosova, 17 nga Familjet e Dëshmorëve, 107 nga komunitetet joshumicë dhe 10 nga Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës”, njofton Universiteti.

Njoftohet se edhe sivjet interesimi më i madh ka qenë për Fakultetin e Edukimit dhe atë të Juridikut. Për 200 vende në Fakultetin e Edukimit kanë aplikuar 708 kandidatë. Ndërsa për 185 vende në Fakultetin Juridik, kanë aplikuar 360 kandidatë.

”Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, tha se faza e aplikimit ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur asnjë problem. Poashtu, sipas tij, edhe provimi pranues që ka nisur të mërkurën është organizuar mirë. “Aplikantët janë njoftuar me kohë për provimin pranues, për orarin e mbajtjes së provimit, për sallat ku janë të përcaktuar etj”, bëhet e ditur në komunikatën e Universitetit.

Ndryshe, në Fakultetin e Gjeoshkencave për 138 vende kanë aplikuar 22 kandidatë. Ndërsa në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike për 482 vende kanë aplikuar 245 kandidatë. Ndërkaq, për Fakultetin e Tekonologjisë Ushqimore dhe për programin “Xehetari” në kuadër të Fakultetit të Gjeoshkencave, konkursi pritet të shpallet më 29.07.2017./21Media