Autobusi është ndaluar dhe janë intervistuar edhe dëshmitarë të rastit

Autobusi është ndaluar dhe janë intervistuar edhe dëshmitarë të rastit

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës mbrëmë ka konfiskuar mbi 11 kg substancë të dyshuar narkotike në Merdar.

Mbrëmë rreth orës 22:00, Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e antidrogës ka pranuar një informatë nga njësia mobile e Doganës se Kosovës, të cilët në Pikë kalimin kufitar në Merdar kanë ndaluar një autobus të një kompanie turistike me targa (KS), e cila kompani e mbanë linjën e rregullt nga Prishtina me një shtet tjetër europian.

Siç ka njoftuar policia, gjatë kontrollimit të autobusit, udhëtarëve si dhe valigjeve të tyre në bagazhin e autobusit kanë qenë (3) tri qanta ku në to kishte 2 zmadhues zëri dhe një klimë për ftohje, ku në brendësi të tyre janë gjetur (11) njëmbëdhjetë paketime me bari ngjyrë të gjelbër e dyshuar si substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë 11 kg e 65 gramë.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësia e antidrogës –Prishtinë, njësia K9 si dhe forenzika rajonale e Prishtinës e cila ka bere fotografimin, matjen dhe tërheqjen e dëshmive”, ka bërë të ditur policia.

Në lidhje me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij autobusi është ndaluar për një kontrollë të detajuar, perderisa janë intervistuar edhe dëshmitarë të rastit.

Policia me njësitet kompetente është në proces të hetimit të rastit dhe identifikimit të të dyshuarit të involvuar./21Media