Artistët i dalin në ndihmë Burbuqe Berishës

Artistët i dalin në ndihmë Burbuqe Berishës

Në Menzën “Ramiz Sadiku” në Prishtinë sot është mbajtur ankandi i pikturave të artistëve Blerta Surroit, Lorik Sylejmanit, Zake Prelvukajt, Arlinda Hajrullahut, Eliza Hoxhës, Ismet Jonuzit e shumë të tjerëve, të cilët me shitjen e tyre kanë arritur një shumë prej 12 mijë euro, të cilat do t’i dhurohen artistes, Burbuqe Berishës që do t’i nënshtrohet një operacioni, transplantit të veshkës.

Në këtë ankand dy punë artistike janë shitur në shumën rekorde prej 1 mijë dhe 1 mijë e 50 euro, ndërsa mbi 12 mijë euro është shuma totale e mbledhur në ankandin sonte.

Iniciatorja e grupit për të organizuar këtë ankand shitës ka qenë Zake Prelvukaj. Të pranishëm ishin edhe Afërdita Saraçini, Xheraldina Vula, Memli Kelmendi, Abelard Tahiri, Eliza Hoxha, Adriatik Kelmendi, e personalitete tjera që ndihmuan duke blerë punët artistike.

Burbuqe Berisha studimet themelore dhe master i ka të përfunduar në Fakultetin e Arteve, dega Regji e Filmit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.

Artistja ka krijuar një numër të madh të filmave me metrazh të shkurtër, si dhe dokumentarë, seriale televizive, shfaqje teatrore dhe është fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar. /21Media